OBI miraton rezolutë për Kosovën

Organziata e Bashkëpunimit Islamik u bën thirrje shteteve anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta bëjnë këtë. Ministri Hoxhaj u drejtohet me një fjalim përfaqësuesve të shteteve anëtare të organizatës.

Lajme

11/12/2013 14:31

Vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI) kanë miratuar një rezolutë me të cilën u bëhet thirrje vendeve anëtare të kësaj organizate që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë.

Rezoluta e sponsoruar nga Shqipëria mbështet dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe mirëpret bashkëpunimin e institucioneve ekonomike e financiare të OBI’t.

Miratimit të rezolutës i ka paraprirë një fjalim i Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, para të pranishmëve në këtë samit, i cili është i 40’ti i kësaj organizate.

Në këtë fjalim, Hoxhaj ka thënë se procesi i njohjes së Kosovës është global dhe si i tillë mbetet i pandalshëm. Ai ka shtuar se njohja e pavarësisë është në interesin e të gjitha shteteve dhe është një kontribut i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Ministri Enver Hoxhaj, gjatë fjalimit në Samitin e OBI

“Kam kënaqësinë të ju informoj se deri më tani Republika e Kosovës është njohur nga 104 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Unë jam mirënjohës për 35 vendet anëtare të OBI’t për vendimin e tyre që ta njohin Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Procesi ynë i njohjes është global dhe si i tillë mbetet i pandalshëm”.

“Ne jemi të angazhuar të ushtrojmë sovranitetin tonë në mënyrë proaktive dhe në shumë drejtime. Kosova është anëtare e plotë e disa organizatave ndërkombëtare duke përfshirë të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare sikurse FMN, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (Nju Jork), Banka e Këshillit të Evropës për Zhvillim”.

“Krahas kësaj ne synojmë anëtarësimin në forume, iniciativa dhe organizata të tjera të rëndësishme rajonale. Kjo është një dëshmi e drejtpërdrejtë e sovranitetit dhe progresit të Kosovës në raport me integrimin e plotë në sistemin ndërkombëtar”, ka thënë Hoxhaj.

Kryediplomati kosovar ka thënë se Kosova e pavarur është një fakt gjeopolitik në Evropë dhe do të jetë pëgjithmonë një shtet sovran. Miratimi i Rezolutës për njohjen e Kosovës në këtë Samit, sipas tij, duhet të dëgjohet edhe nga vendet e tjera.

“Shembujt e shtetndërtimit na mësojnë se asgjë nuk mund ta ndal rrjedhën e historisë. Kosova sot përfaqëson shembullin më të mirë të ndërtimit të paqes dhe të shtetit në dy dekadat e fundit, e përkrahur nga shumë miq dhe aleatë. Derisa qëndroj këtu para jush, kjo dëshmon se sa e gjatë ka qenë rruga e jonë të jemi këtu dhe të përjetojmë të gjitha pengesat e mundshme njerëzore gjatë historisë. Kështu që besoj se thirrja e sotme nga Rezoluta për Kosovën do të dëgjohet nga vendet e tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë tonë”, ka përfunduar fjalimin, Ministri Enver Hoxhaj.