Obama uron shqiptarët për 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka uruar nëpërmjet një mesazhi presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me rastin e Festës së Pavarësisë.

Lajme

24/11/2014 19:33

Obama shkruan se Shqipëria ka bërë një përparim të mrekullueshëm në ndërtimin e demokracisë dhe kontributin që ka dhënë në sigurinë globale, dhe se SHBA-të janë krenare që e kanë Shqipërinë aleate dhe mike të ngushtë.

“I dashur z. President,

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiroj t’i përcjell urimet e mia më të mira qeverisë dhe popullit shqiptar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës suaj të Pavarësisë. Duke festuar pavarësinë tuaj, ne përshëndesim përparimin e mrekullueshëm që keni shënuar në ndërtimin e demokracisë në vend si dhe kontributin ndaj sigurisë, qëndrueshmërisë dhe begatisë ndërkombëtare në rajon dhe anembanë botës. Ju përgëzojmë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Suksesi i vendit tuaj në përparimin përgjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian e thellon qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe shërben si shembull për aspiratat euro-atlantike të fqinjëve tuaj. Shqipëria është një partnere e palëkundur dhe kontribuuese për sigurinë globale. Ne i jemi mirënjohës kontributeve të rëndësishme të Shqipërisë dhënë në misionin e NATO-s në Afganistan, në përpjekjet ndërkombëtare në Ukrainë, qëllimeve humanitare dhe stabilizuese në Irak si dhe në luftën kundër kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe luftëtarëve të huaj. Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë Shqipërinë si aleate, mike dhe partnere të ngushtë. Urime për Ditën tuaj të Pavarësisë!” përfundon mesazhi i Presidentit amerikan drejtuar kreut të shtetit shqiptar.