Obama sqaron legalitetin e pavarësisë së Kosovës
Shtëpia e Bardhë ka sqaruar deklaratat e Presidentit Barack Obama rreth mbajtjes së referendumit në Kosovë për shkëputjen nga Serbia. Ajo i ka sqaruar Agjencisë ruse të lajmeve, Itar Tass përmes një letre ku shpjegon procesin e pavarësimit të Kosovës.
Bota
Një zyrtare e lartë e Shtëpisë së Bardhë i ka dërguar një përgjigje me shkrim agjencisë ruse të lajmeve, Itar Tass.
“Kur ka folur për Kosovën, presidenti ynë ka pasur në mendje situatën unike me të cilën Kosova e ka fituar pavarësinë. Ajo ka ndodhur pas viteve të tëra të negociatave dhe me një rol prijës nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë kjo zyrtare, transmeton KTV.
Ajo ka shtuar se pavarësia ishte një nga opsionet e përmendura nga bashkësia ndërkombëtare. “Me Rezolutën 1244 Kosova u vu nën administrimin e OKB-së që mundësoi negociata për statusin e ardhshëm të Kosovës, që përfshinte edhe mundësinë e pavarësisë.
Për dallim prej Krimesë, në Kosovë kishte një proces të lirë demokratik të mundësuar nga OKB, e ku njerëzit e kishin mundësinë që të votonin për të zgjedhur Parlamentin e tyre, i cili në mënyrë legale e shpalli pavarësinë, pasi që të gjitha mundësitë e tjera u shteruan”, ka thënë zyrtarja amerikane, transmeton KTV.