Obama për Netanyahun: I mërzitshëm!

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka deklaruar se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë fjalimit të ka mbajtur në Kongresin Amerikan, nuk ka thënë asgjë të re lidhur me “çështjen bërthamore” të Iranit, dhe se nuk ka ofruar asnjë alternativë të besueshme për të arritur ndonjë marrëveshje të mundshme.

Bota

04/03/2015 10:22

“Paska qenë një fjalim i mërzitshëm dhe i përsëritur”, ka thënë Obama, pasi ka lexuar transkriptin e fjalimit të Netanyahut, vizita e të cilit ishte mjaft e diskutueshme pasi ai u ftua nga Republikanët që udhëheqin me Kongresin, pa u konsultuar fare me Shtëpinë e Bardhë.

“Asgjë e re! Alternativë që ofron kryeministri izraelit është ‘nuk ka marrëveshje’. Në këtë rast Irani do të rifillojë me programin e tij bërthamor, pa pasur ndonjë pasqyrë se çfarë po bëjmë, çfarë po ofrojmë ne si palë tjetër. Programi bërthamor i Iranit nuk është problem vetëm për Izraelin, por as sanksionet nuk ofrojnë zgjidhje të përhershme. Duhet kërkuar edhe alternativa tjera, duhet kërkuar mundësi për marrëveshje”, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Benjamin Netanyahu gjatë fjalimit në Kongresin Amerikan
Benjamin Netanyahu gjatë fjalimit në Kongres

Në fjalimin e tij në Kongresin amerikan, Netanyahu indirekt ka kritikuar politikën e administratës së presidentit Obama, duke thënë se një marrëveshje me Teheranin mbi programin bërthamor, do të mund t’i hapte rrugë Iranit për të “shpërthyer bombën”, në vend që ta bllokojë atë.

Netanyahu gjatë fjalimit të mbajtur në Kongresin amerikan, të ndërprerë rregullisht me ovacione në këmbë nga ligjvënësit republikanë, ka përshkruar Iranin si një “kërcënim për të gjithë botën”. Por ligjvënësit demokratë, si Nancy Pelosi, e të tjerë, nuk i duartrokitnin, madje ajo shpeshherë tregonte edhe shenja të dukshme të mospajtimit me atë që thoshte kryeministri izraelit.

Netanyahu u u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë për të bllokuar çdo marrëveshje të ardhshme me Iranin. Ai këmbënguli se Iranit i është dhënë kohë prej vitesh për të ndryshuar, dhe se nuk mund t’i besohet. Prandaj, sipas tij, të gabueshme ishin edhe bisedimet për të arritur një marrëveshje, që aktualisht po mbahen në Zvicër, mes ministrit të Jashtëm iranian Javad Zarif dhe sekretarit të Shtetit, John Kerry.

“Ne kemi thënë se asnjë marrëveshje nuk është e pranueshme derisa është një marrëveshje e keqe. E pra, kjo që po përgatitet duket se do të jetë një marrëveshje e keqe, një marrëveshje shumë e keqe. Ne jemi më mirë pa këtë marrëveshje”, ka thënë Netanyahu duke shtuar se “Irani po bënë një lojë të mirë, të fshehtë dhe po arrin të mashtrojë monitoruesit dhe inspektorët e Kombeve të Bashkuara”.

Presidenti Obama ka paralajmëruar se nuk do të takojë kryeministrin izraelit, për të mos ndikuar në zgjedhjet nacionale që do të mbahen në Izrael pas dy javësh, ndërsa kritikët e Netanyahut në Ëashington e kanë komentuar fjalimin e tij si “ndërhyrje” në politikën amerikane.

Netanyahu është pritur me ngazëllim nga ligjvënës, republikanë dhe demokratë në Kongres, por dhjetëra demokratë të tjerë, përfshi edhe udhëheqësen e tyre, Nancy Pelosi dhe nënpresidentin Joe Biden, nuk i kanë duartrokitur fjalimit të tij. Madje Pelosi e ka shpërfillur, duke thënë pas fjalimit se “Netanyahu u përpoq të fyej inteligjencën e Shteteve të Bashkuara”.

Benjamin Netanyahu
Benjamin Netanyahu

SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina janë duke kërkuar për të arritur marrëveshje për zvogëlimin e programit bërthamor të Iranit në shkëmbim të ndihmave dhe heqjes së sanksioneve.

Këto shtete presin që marrëveshja të arrihet gjatë këtij muaji, pasi frikësohen se Irani ka ambicie për të ndërtuar një bombë bërthamore, gjë që Teherani zyrtar e mohon, duke këmbëngulur se është thjesht duke ushtruar të drejtën e tij për të t’i kontribuar vendosjes së balancës për siguri rajonale. /lajmi.net/

YouTube player