Obama: Nuk duam luftë me Rusinë, por…

Presidenti Barack Obama fajësoi sot Rusinë për përtëritjen e konflikteve të armatosura ndërmjet ushtrisë ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, dhe paralajmëroi se SHBA-të do të shqyrtojnë opsione shtesë me objektiv rritjen e presionit ndaj Moskës. 

Bota

25/01/2015 16:04

“Do të vijojmë me qasjen që e kemi pasur në të kaluarën, që nënkupton shtimin e presionit mbi Rusinë”, tha Obama në konferencë me gazetarë në Nju Delhi.

“Dhe unë do të shqyrtojë të gjitha opsionet shtesë që janë në dispozicion, pos konfrontimit ushtarak, dhe do të përpiqem të zgjidhim këtë çështje”, shtoi Obama, transmeton agjencia Reuters.  

“Isha mjaft i qartë se nuk do të kishte kuptim që të përfshihemi në konflikt ushtarak me Rusinë sa i përket kësaj çështjeje. Por, ajo që mund  të bëjmë është që të vijojmë të përkrahim aftësinë e Ukrainës për të kontrolluar territorin e saj”, theksoi Obama.

Presidenti amerikan tha se kjo nënkupton kombinimin e presionit ekonomik ndaj Rusisë me anë të sanksioneve, por edhe përmes sigurimit të mbështetjes që i nevojitet Ukrainës për të mbajtur ekonominë e saj, përmes ndihmës ushtrisë së saj me rezerva themelore dhe me pajisje, si dhe përmes trajnimit dhe ushtrimit me NATO-n.