Obama i kërkon Putinit të respektojë armëpushimin në Ukrainë

Presidenti amerikan, Barack Obama i bëri thirrje Rusisë të respektojë armëpushimin e e arritur me 5 shtator mes qeverisë ukrainase dhe separatistëve prorusë në në lindje të Ukrainës, të cilët e kanë mbështetjen e Moskës.

Bota

13/11/2014 15:54

Zëvendës këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Ben Rhodes tha të enjten se  presidenti Obama ia ka dhënë këtë mesazh presidentit rus Vladimir Putin gjatë një bisede jo-zyrtare që patën në takimin e kësaj jave në Pekin.

Rhodes po ashtu iu tha gazetarëve se presidenti Obama do të diskutojë për krizën në Ukrainë me udhëheqësit evropianë në kuadrin e takimit të G20 në Brisbane të Australisë, raporton VOA.

NATO dhe vëzhguesit evropianë kanë njoftuar se ditët e fundit kanë hyrë në Ukraninë, trupa dhe tanke ruse.

Moska vazhdimisht ka mohuar të jetë përfshirë ushtarakisht në Ukrainë dhe i ka cilësuar trupat ruse që luftojnë krahas me rebelët si vullnetarë.

Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit, një ditë më parë, ambasadori i Ukrainës në OKB tha se përmbajtja e Kievit ka qenë arsyeja e vetme që nuk ka shpërthyer lufta.

Yuriy Sergeyev vuri në pikëpyetje mundësinë që Kremlini të jetë duke planifikuar një pushtim të armatosur në Ukrainën lindore.