Obama e Putin “shkëmbyen” ca fjalë

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe ai rus, Vladimir Putin, kanë shfrytëzuar pauzat e Samitit Ekonomik të Azi-Paqësorit në Pekin, që të shkëmbejnë qëndrimet e tyre për çështje me rëndësi mes dy vendeve, por edhe që ndërlidhen me interesa strategjike në arenën ndërkombëtare.

Bota

11/11/2014 11:52

Njëri nga takimet pesëminutëshe në margjinat e këtij Samiti është dukur tepër i ftohtë dhe nuk dihet për çfarë kanë biseduar, por presidenti Obama është përgjigjur pasi është “rrahur” krahëve nga homologu i tij.    

Dimitrij Peskova, zëdhënës i presidentit rus, ka thënë se Obama dhe Putini janë takuar disa herë nga pesë minuta, dhe se kanë biseduar për raportet bilaterale mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, për situatën në Ukrainë, në Siri, si dhe për armatimin bërthamor të Iranit.

Perëndimi (Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian) është i zemëruar me Rusinë për shkak të nxitjes së konfliktit në lindje të Ukrainës, si dhe për aneksimin e rajonit të Krimesë në muajin mars të këtij viti.

Sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë kanë imponuar nënshkrimin e armëpushimit mes separatistëve rusë dhe trupave ukrainase, por tensionet mes NATO-s dhe Rusisë nuk janë shuar, për faktin se Moska zyrtare vazhdon të dërgojë armatim dhe trupa të saj rezervë në Dontesk të Ukrainës.

Ndërkohë udhëheqësit e vendeve të Azi-Paqësorit, gjatë takimit të tyre në Pekin, janë pajtuar që të punojnë drejt një zone të re të tregtisë së lirë, e cila mbështetet fuqishëm nga Kina.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara janë duke negociuar ndaras edhe një marrëveshje për Partneritet Trans-Pacifik (pa Kinën e Rusinë), e cila pritet të sigurojë ndikimin amerikan në rajon, në përgjigje të pushtetit në rritje të Kinës.