Obama dhe Merkel dakordohen për fajin e Rusisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama ka thënë se është e qartë se Rusia ka shkelur marrëveshjen e mëhershme me Ukrainën.

Bota

09/02/2015 18:42

Sipas tij, Rusia ka dërguar më shumë tanke dhe artileri në lindje të Ukrainës, në vend se t’i tërheqë pajisjet që ka pasur atje.

Obama i ka bërë këto komente në Washington, pas takimit që ka zhvilluar me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Ai po ashtu ka thënë se agresioni rus vetëm sa ka forcuar unitetin ndërkombëtar.

Obama ka theksuar se Rusia nuk mund të rishkruajë kufijtë.

Merkel, në anën tjetër, ka thënë se Rusia ka shkelur integritetin territorial të Ukrainës dy herë: duke aneksuar ilegalisht Krimenë dhe duke mbështetur separatistët pro-rusë në Donjeck dhe Lluhansk.