“O trim urime plaga” – Ish-pjesëtari i njësitit “Hekuri” të UÇK-së tregon si e humbi këmbën në betejë

Lajmi.net ka nisur sonte me publikimin e video rrëfimeve të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë plagosur në fushën e betejës.

Lajme

22/03/2022 19:44

I pari që ka dhënë rrëfimin e tij për lajmi.net është invalidi i luftës, Feim Krasniqi, nga Njësiti “Hekuri” i UÇK-së.

I kyçur në luftë në vitin 1998, Krasniqi është plagosur në fshatin Mrasor.

“Unë jam Feim Krasniqi, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në njësitin “Hekuri”. Në vitin 1998 jam kyq në Ushtrinë  Çlirimtare të Kosovës, pata fatin, jam krenar, ku edhe u plagosa, në qershor të vitit 1998, më 29 qershor në fshatin Mrasor”, thotë Krasniqi në rrëfimin e tij dhënë për lajmi.net.

Ai ndër të tjera ka treguar edhe rrethanat e plagosjes së tij.

“E kanë tërhek roja para neve, shokët që janë kanë i kanë sulmu serbët. Kur e kanë pru armatimin aty, armatimi që ish kanë aty, automatat e gulinovat, kur i kemi lëshu në tokë, kur i kemi lëshu me haz, ata ishin kanë krejt në cevë, të gatshëm veç me prek pullën. Njëri prej tyre ka dhezë dhe na ka rrokë neve dy shokëve, dhe aty për aty jemi plagos. Prej aty, non-stop intervenimet i kam pasë falë zotit dhe mjekëve të Spitalit Ushtarak të zonës së Pashtrikut, doktor Agimit me shokët e vet, të cilët kanë dhanë një kontribut të madh”, ka thënë Krasniqi.

Një moment kulminant i rrëfimit të Krasniqit është kur ai e kishte marrë vesh se kishte humbur këmbën e tij.

Ai rrëfen se si njëri nga shokët e luftës, i ishte drejtuar me fjalët “o trim, urime plaga”.

“Në ditët e para të plagosjes që u shtrina në spital në odë, në kullën e bacit Sherif, në fshatin Gajrak, që për mu është Prekazi i dytë ai vend, që me mijëra e qindra të plagosur, shokë të luftës e civilë aty janë shëru dhe kanë ba intervenime.  Kur është ardhë Zekiria Cana, i ndjeri, dhe shumë luftarakë të tjerë prej Prishtinë, isha pacienti ndër të parët, mas Feim Gashit dëshmorit që është vdekë, isha në atë shtrat unë. Tani kish edhe disa të plagosun që ishin ardhë ma 5-6 dite ndërkohë prej luftimeve në Qafë të Duhlës”, ka shtuar tutje ai.

“Edhe kur u ardhë Zekiria Cana me kolegë të vet, me shokë, profesorin universitar, shumë atë ditë jam kanë tu u mërzit çka do të bahet me mu, qysh do të shërohna në këto kushte. Nuk e dijsha që kama jem e ka pasë. Nuk e kam ditë që e kam të këput hala. Kur e kam ni këtë fjalinë e parë “O trim urime plaga”, unë jam habit pa koment jam met dhe prej aty jam kanë në gjendje edhe jetën me e dhanë, që liria koka e shtrenjtë dhe po ja vlejka me luftu për liri”, rrëfen Krasniqi.

Krasniqi thotë se sot, mërzitet nga padrejtësitë që i bëhen vlerave dhe njerëzve të luftës.

Në këtë kontekst, ai përmend edhe Gjykatën Speciale.

“Mu më vret kur i shoh padrejtësitë që bahen ndaj vlerave të luftës, më pengon shumë më mërzit, sikurse tash rasti i Gjykatës Speciale, tani kur i shoh disa politikanë të papjekur. Më vret kur i shoh padrejtësitë që bahen ndaj shokëve tonë, ndaj komandantave tonë, ajo më mërzit shumë, ajo më mërzit për së tepërmi. Ne kemi luftu me NATO-n, kemi luftu me Amerikën, na kanë përkrah. Na jemi kanë ushtarë të paktit të NATO-s kundër sistemit të Jugosllavisë, ushtarëve e paramilitarëve serbë, të cilët kanë masakru, kanë përdhunu. Sot i kemi pasojat, hala nanat e motrat tona janë në gjendje të mjerume. Mbi 20 mijë femna janë të dhunume, mbi sa fmi janë të masakrum, mbi sa pleq janë të mytun. Kurrë nuk kanë mujt ata me UÇK-në ballë përballë me u përballu. Gjithmonë janë hakmarrë në civilë e në familje tona. Unë e kom llogarit kur e kam mkap pushkën në dorë, që ka me ardhë vrasja, ka me ardhë gjithçka. Lufta nuk sjell mirë, lufta një gjë e sjellë, lirinë, që sot e gëzojmë për fat të mire”, thotë Krasniqi.

“Edhe i kom llogarit këto gjana. Liria mbi të gjitha, çka kemi vujt na për me largu nga Kosova ushtrinë dhe policinë serbe, po i mujke të gjitha”, thotë në fund të rrëfimit të tij ish-pjesëtari i UÇK-së në Njësitin “Hekuri”, Feim Krasniqi. /Lajmi.net/