Nxehet Prishtina

Shpend Ahmeti i quan të pabaza dhe jo të vërteta deklaratat e Isa Mustafës se ai po e ndan votën. Sipas tij, votat për të do të vijnë edhe nga votuesit e subjekteve tjera që nuk janë në garë. Ai thotë se ndryshimi është afër dhe se do të fitojë në balotazh.

Lajme

08/11/2013 06:00

Pak ditë pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të cilat nuk përcaktuan fituesin për Komunën e Prishtinës, gara për balotazh ka filluar t’i  japë sinjalet e para për një raund tjetër. Kësaj radhe, edhe më të nxehtë.

Dy protagonistët kryesorë për kreun e Kryeqytetit, Kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës Isa Mustafa dhe rivali i tij nga Lëvizja Vetëvendosje Shpend Ahmeti, tanimë kanë filluar përplasjet në distancë.

Pas sulmeve që i kishte bërë Mustafa kundërkandidatit të tij se ai po e ndan votën në votë rurale dhe urbane, nuk ka vonuar shumë reagimi i Ahmetit.

Në një intervistë për lajmi.net Shpend Ahmeti i ka quajtur akuzat e Isa Mustafës të pabaza dhe jo të vërteta.

Ai ka thënë se ekipi i tij duhet të punojë më shumë nëpër fshatra dhe lagje, për dallim nga pushteti lokal i cili ua ka kthyer shpinën.

“Kundërkandidati Mustafa pati thënë që Prishtinën do ta fitojë pa balotazh. Kur kjo u tregua shumë e pasaktë, atëherë po fillojnë sulmet ndaj meje që janë edhe të pasakta edhe të pabaza”.

“Në fakt, unë kam shpjeguar rezultatet e Prishtinës, e që do të thotë se ekipi ynë duhet të punojë edhe më shumë në lagjet dhe fshatrat ku nuk kemi qenë në vendin e parë për të takuar sa më shumë qytetarë që të arrijmë të shpjegojmë edhe më shumë programin tonë, sepse e kemi alternativën më të mirë”.

“Ky pushtet ia ka kthyer shpinën të gjitha lagjeve dhe posaçërisht fshatrave të cilat nuk e kanë përkrahjen edhe më të vogël për zhvillim”.

Shpend Ahmeti ka filluar përgatitjet për balotazh menjëherë pasi e kishte marrë vesh rezultatin.

Ai thotë se ka një përkrahje të madhe të dhe se numri i vullnetarëve është rritur për ta ndihmuar atë.

“Këto ditë ne kemi edhe më shumë përkrahje, kemi numër të madh të vullnetarëve të rinj që janë lajmëruar, sepse tanimë zgjedhjet dhe mundësitë janë të qarta.  Ekipi ynë është më i motivuar të punojë, të mobilizojë tash kur ndryshimi është aq afër”.

“Votuesit tanë po na dërgojnë mesazhe shumë për dalje edhe një herë, bile kësaj radhe edhe nga të tjerët që nuk kanë dalë fare, ose që kanë votuar për subjektet tjera që tani nuk janë në garë”.

Ai shprehet i bindur se do të triumfojë më 1 dhjetor.

“Kjo është shumë shpresëdhënëse dhe mund të them që në Prishtinë po ndodh diçka e madhe dhe e bukur që nuk e shohim shpesh. Njerëzit e bashkuar përtej vijave të subjekteve politike për të bërë ndryshimin”, thotë Ahmeti për lajmi.net.

Isa Mustafa në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit ka arritur të sigurojë rreth 43% të elektoratit, që ka qenë e pamjaftueshme për ta siguruar udhëheqjen e Prishtinës edhe për një mandat. Kësisoj, ai do të përballet në balotazh më 1 dhjetor me Shpend Ahmetin, që ka arritur t`i marrë rreth 31% të votave.