Numri i kërcënimeve ndaj gazetarëve është në rritje

Numri i rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve kohëve të fundit është rritur shumë, duke filluar nga forma elektronike e deri te forma e kërcënimeve me vdekje. 

Lajme

05/10/2014 16:22

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Zekirja Shabani thotë se për rritjen e numrit të kërcënimeve dhe presioneve që po iu bëhen gazetarëve në Kosovë, ata kanë kërkuar nga institucionet përgjegjëse të veprojnë.

Në një prononcim për Kosovapress, Shabani thotë se është shqetësuese që “institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete” për kërcënimet e raportuara.

“Është tejet shqetësues fakti se së fundi kemi një numër në rritje të raportimeve të gazetarëve për kërcënime, shantazhe apo presione të llojeve të ndryshme, që po u bëhet atyre në punën e përditshme.Ne si AGK i kemi marrë me shqetësim të gjitha raportimet që na kanë ardhë prej kolegëve tonë dhe e kemi ngritur zërin, kemi alarmuar institucionet përgjegjëse për presionet, kërcënimet që po u bëhen gazetarëve, por është edhe më shqetësues fakti se institucionet po tregojnë se sa të brishta janë pasi që ne si Asociacion nuk kem marrë ndonjë përgjigje konkrete deri ku kanë shkuar ato raste të cilat janë raportuar, qoftë prej kolegëve tonë gazetarë direkt nga institucionet e sigurisë, qoftë prej neve si asociacion”, ka thënë Shabani.

I pyetur se sa është numri i gazetarëve që kanë marrë kërcënime, Shabani tha se prej muajit mars e deri tani janë rreth 20 raste të raportuara në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

“Numri i kërcënimeve apo presioneve të formave të ndryshme është tejet i madh. Vetëm prej muajit mars deri më tani kemi rreth 20 raste të raportuara prej gazetarëve direkt në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, por kemi edhe shqetësime të ndryshme që i shprehin gazetarët, e që ne nuk i kemi kategorizuar si kërcënim, por në fakt janë shqetësime serioze që vijnë nga kolegët tonë gazetarë”, tha ai.

Sipas tij, këto kërcënime në një formë janë edhe dekurajim i atyre që dëshirojnë të merren me profesionin e gazetarisë pasi që, sipas tij, këta të rinj mendojnë se ky profesion është i shkallës së lartë të rrezikut, raporton Kosovapress.