Numërohen rreth 60 për qind e vendvotimeve

Kanë kaluar katër ditë që kur KQZ-ja kishte marrë vendim për rinumërimin e 530 vendvotimeve.

Lajme

21/10/2019 08:44

Më 17 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kishte marrë vendim që të rinumëroheshin 530 vendvotime, pas rekomandimeve të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj kishte thënë se në këto 530 vendvotime ka pasur probleme kryesisht teknike, prandaj ishte vendosur që të shkohet në rinumërim të tyre.

Që nga 17 tetori e deri të dielën, janë numëruar rreth 60 për qind e këtyre vendvotimeve.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Elezi ka thënë se kanë mbetur edhe 220 vendvotime të tjera pa u numëruar.

“Sipas raportimit të fundit të ditës së diele, numri i vendvotimeve të rinumëruara ka shkuar në 310 sosh apo 58.60% e tyre. Kanë mbetur edhe 220 vendvotime të tjera për t’u rinumëruar në mënyrë që të vazhdojmë me numërimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Elezi.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, partia e parë është Vetëvendosje me 25.50 %, pas saj radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.83 %, kurse Partia Demokratike e Kosovës radhitet e treta me 21.25%. Ndërsa koalicioni AAK-PSD në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 11.57 për qind, si dhe koalicioni NISMA-AKR nuk ka kaluar pragun zgjedhor. /Lajmi.net/