Numërimi i votave në Kosovë, KQZ: Procesi po vazhdon në 32 qendra komunale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri të hënën në mesnatë është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike në pesë Qendra Komunale të Numërimit. Sipas KQZ-së, procesi është përfunduar në Junik, Shtërpcë, Hani i Elezit, Partesh dhe Mamushë, ku janë përmbyllur të gjitha aktivitetet…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri të hënën në mesnatë është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike në pesë Qendra Komunale të Numërimit.
Sipas KQZ-së, procesi është përfunduar në Junik, Shtërpcë, Hani i Elezit, Partesh dhe Mamushë, ku janë përmbyllur të gjitha aktivitetet e numërimit dhe verifikimit të rezultateve.
Në Junik (6 nga 6 vendvotime), Shtërpcë (17 nga 17), Hani i Elezit (11 nga 11), Partesh (7 nga 7) dhe Mamushë (5 nga 5), procesi i numërimit është mbyllur plotësisht.
Ndërkohë, procesi i numërimit dhe verifikimit po vazhdon në 32 Qendra Komunale të Numërimit, përfshirë: Deçan, Dragash, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Drenas, Graçanicë, Istog, Kaçanik, Kamenicë, Klinë, Kllokot, Leposaviq, Lipjan, Malishevë, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Rahovec, Ranillug, Skenderaj, Suharekë, Viti, Zubin Potok dhe Zveçan.
Në Qendrën Komunale të Numërimit në Vushtrri është zhvilluar procesi i numërimit në 10 vendvotime, por rezultatet nuk kanë mundur të procesohen për shkak të problemeve teknike me internetin.
KQZ ka bërë të ditur se kutitë e votimit janë mbyllur dhe siguruar sipas procedurave përkatëse, ndërsa numërimi do të vazhdojë gjatë ditës dhe vendvotimet do të rinumërohen për procedim të rregullt të rezultateve.
Sipas të dhënave deri të hënën në mesnatë (8 qershor 2026, ora 23:59), janë procesuar 486 vendvotime nga gjithsej 2 mijë e 498, që përbën 19.46 për qind të procesit në 37 QKN të ndryshme. /Lajmi.net/
Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/