Numërimi i votave me postë pritet të përfundojë sonte

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet që sonte të përfundojë numërimi i votave me postë.

Lajme

16/10/2019 16:49

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve me postë, proces ky i cili sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi është duke shkuar mirë dhe nuk ka pasur ndonjë parregullsi.

Elezi për KosovaPress tha se procesi i numërimit të rreth 13 mijë e 500 fletëvotimeve, të cilat kanë ardhur përmes postë është duke shkuar sipas dinamikës së paraparë.

Madje ai është shprehur optimist se ky proces do të përfundojë sonte, ndonëse në mëngjes është thënë se numërimi do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme.

“Deri më tani numërimi i fletëvotimeve jashtë vendit po ecën sipas dinamikës e cila është paraparë këtu në QNR, pra janë 23 tavolina ku po zhvillohet procesi i rinumërimit gjithsej janë 13 mijë e 491 fletëvotime nga jashtë vendit të cilat kanë ardhur gjatë periudhës 19 shtator-5 tetor 2019. Po shpresojmë që brenda një kohe të shkurtër në variantin jam optimist që deri në përfundimin e kësaj dite të përmbyllet numërimi i këtyre fletëvotimeve dhe me mundësi që nesër mos të ketë fare nevojë. Sido që të jetë më vonë do të arrijmë të mësojmë nëse sot me përmbylljen e kësaj dite të përfundojë procesi i numërimit”, u shpreh Elezi.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se deri tani nuk kanë hasur në ndonjë pengesë, dhe se numërimi i votave me postë është duke u përcjell edhe nga vëzhgues të partive politike dhe organizatave jo qeveritare.

“Nuk ka pasur ndonjë pengesë e cila është paraqitur në ndonjë nga grupet e numërimit, siç mund ta shihni numërimi është duke u përcjellë edhe nga vëzhguesit e subjekteve politike dhe të organizatave jo qeveritare”, theksoi ai.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, në këtë proces të numërimit të fletëvotimeve që kanë ardhur përmes postës nuk janë duke u numëruar ato vota, të cilat kanë arritur pas përfundimit të afatit për pranim të fletëvotimeve me postë e që ka qenë data 5 tetor.

Rezultati i këtij numërimi është duke u përditësuar kohë pas kohe në tabelën e QNR-së.

Deri në këto momente janë numëruar gjithsej 5242 fletëvotime nga numri total 13 mijë e 491 vota.

Në bazë të rezultatit prinë Lëvizja Vetëvendosje me 2553 vota, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me gjithsej 972 vota. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës deri tani ka marrë 825 vota nga diaspora.

Koalicioni AAK-PSD deri tani ka marr 369 vota kurse koalicioni Nisma- AKR-PD ka marr gjithsej 356 vota.

Gjatë ditës kreu i KQZ-së Valdete Daka ka parë nga afër në QNR procesin e numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë.