Nuk prishen, zyrtarisht

Isa Mustafa nuk jep shenja të prishjes së koalicionit LDK-AAK, pas tensioneve të fundit. Ai flet për “zbatim me përpikëri” të marrëveshjes. Edhe Kryesia e LDK'së mohon mundësinë e shkëputjes së koalicioneve. Teknikisht mbeten në fuqi, por realisht a votojnë?

Lajme

27/11/2013 13:30

Isa Mustafa i ka rrëzuar teoritë e prishjes së koalicioneve nëpër komuna mes AAK’së dhe LDK’së.

Të paktën, kjo duket të jetë e vërteta e Lipjanit.

LDK sot ka mbyllur fushatën për balotazh në Lipjan, ku Kryetari i LDK’së ka folur për “zbatim me përpikëri” të marrëveshjes së koalicionit me aleatët.

Fitim Selimi, që ka garuar nën siglën e AAK’së për Kryetar Komune në Lipjan, javë më parë ka lidhur marrëveshje koalicioni me LDK’në.

E në tubimin e sotëm në Lipjan, Selimi është dukur tërë gaz.

Nga tubimi i sotëm i përbashkët parazgjedhor LDK-AAK, në Lipjan.

 

Sipas Mustafës, Kandidati i LDK’së për Kryetar të Komunës, Imri Ahmeti, ka përkrahjen e partive politike dhe qytetarëve të Lipjanit, prandaj fitorja e tij dhe fitorja e qytetarëve të kësaj Komune është e sigurt.

“Marrëveshja e LDK’së me AAK’në, LDD’në, IQL’në dhe subjektet e tjera do të zbatohet me përpikëri, ashtu siç e keni shkruar ju”, ka thënë Mustafa.

“Jam shumë i bindur se ky koalicion do të arrijë t’i fitojë zgjedhjet më 1 dhjetor dhe do arrijë qeverisjen më të mirë të Lipjanit. Vetë fakti që ne kemi krijuar besimin reciprok me subjektet politike, besimin e qytetarëve të Lipjanit, për kandidatin tonë për kryetar Imri Ahmeti, tregon se rruga e fitores është e pakthim”.

Ai ka thënë se është kaluar një fazë të rëndësishme e zgjedhjeve dhe është dhënë një provim i demokracisë në Lipjan dhe Komunat tjera.

“Këtë sukses që kemi krijuar, këtë kulturë politike që ne kemi zhvilluar dhe po zhvillojmë, assesi nuk guxojmë ta rrezikojmë me kthim prapa, as në Lipjan dhe as në komunat tjera të Kosovës”.

“Zhurma e cila i tejkalon zgjedhjet lokale, i tejkalon çështjet për të cilat ne angazhohemi në zgjedhjet lokale”, ka thënë Mustafa.

Tensionet mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë rritur ditëve të fundit, të cilat janë përfshirë në një debat të ashpër publik, në prag të votimeve për balotazhin.

Rivaliteti i fuqishëm i tyre në Pejë ka shpërthyer në akuza të rënda, ndërkohë që prishja e koalicioneve të balotazhit mes këtyre dy partive është përfolur si mundësi në opinion.

Ahmet Isufi, Nënkryetar i AAK’së, duke folur për lajmi.net, gjatë ditës, i ka cilësuar si “spekulime mediale” lajmet për mundësinë që sot AAK dhe LDK t’i japin fund bashkëpunimit parazgjedhor nëpër disa komuna të Kosovës.

“Të gjitha janë spekulime mediale. Asgjë nuk ka”, ka thënë Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, për lajmi.net.

Pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, LDK dhe AAK kanë lidhur marrëveshje koalicioni në Ferizaj, Rahovec, Vushtrri dhe Lipjan, ndërsa garojnë kundër njëra-tjetrës në Pejë, në Suharekë dhe në Obiliq.

Duket se teknikisht koalicionet do të mbeten në fuqi, edhe pse realisht është e vëshirë të pritet dalje e votuesve të njërës parti për ta mbështetur kandidatin e partisë tjetër, në komunat ku LDK dhe AAK kanë bërë marrëveshje koalicioni, pasi që raportet mes tyre tashmë pothuajse janë thyer në masë të konsiderueshme.

 

Kryesia e LDK’së: Prishja e koalicioneve me AAK’në është spekulim

Ndërkohë Kryesia e LDK’së ka lëshuar një deklaratë për media, me të cilën qartëson pozicionin e saj karshi kësaj çështjeje, prej nga duket se ajo përfundimisht ka vendosur të shohë përpara, në garën zgjedhore të 1 dhjetorit.

Akuzat dhe kundërakuzat e ditëve të fundit në Pejë mes këtyre dy partive, LDK i konsideron “të tejkaluara” përderisa shpreh vendosmërinë për të mos i prishur marrëveshjet e koalicionit parazgjedhor nëpër komuna, të lidhura me AAK’në.

Në një deklaratë të Kryesisë së LDK’së, kjo parti i quan spekulime lajmet për prishje të këtyre marrëveshjeve.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të sqarojë se pretendimet për prishje të marrëveshjeve të koalicioneve lokale me AAK’në janë spekulime dhe se bashkëpunimi ndërmjet degëve të LDK’së dhe AAK’së do të vazhdojë si edhe deri më tani”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë jetike të procesit zgjedhor, shpreh vendosmërinë e saj që edhe më tutje të kontribuojë për një proces elektoral korrekt dhe në suaza të kodit të mirësjelljes”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës fton që gara për zgjedhjet lokale të zhvillohet në suaza të tolerancës politike. Një tolerancë dhe garë politike që ka mbizotëruar gjatë raundit të parë të zgjedhjeve duhet të mbizotërojë edhe tani”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës siguron që kandidatët e saj do të zhvillojnë garë politike të drejtë dhe të ndershme”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se reagimet dhe kundër-reagimet e ditëve të fundit të bëra ndërmjet Degës së LDK’së në Pejë dhe Degës së AAK’së janë të tejkaluara”, thuhet në deklaratën e Kryesisë së LDK’së.