Nuk ndërhyjmë në proces zgjedhor

Peter Palmer thotë se Ekipi Vëzhgues i Zgjedhjeve i BE'së do të ketë në dispozicion 10 ekipe vëzhguese që do të shpërndahen në gjithë vendin. Një ekip do të fokusohet vetëm në Veri. Ai thotë se ky mision nuk është këtu për të ndërhyrë, por veç për të vëzhguar.

Lajme

10/10/2013 12:03

Zëvendësshefi i Ekipit Vëzhgues të Zgjedhjeve i Bashkimit Europian, Peter Palmer, thotë se ekipi i tij do ta vëzhgojë procesin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, në aspektin gjithëpërfshirës, por në asnjë mënyrë nuk do të ndërhyjë në proces.

Palmer  ka deklaruar për “Radio Kosovën” se Bashkimi Europian e ka dërguar këtë mision për shkak se ka përgjegjësi të veçantë për Kosovën.

“Roli ynë është vetëm vëzhgimi, që nënkupton vëzhgim të të gjitha aspekteve të zgjedhjeve, përfshirë edhe kampanjën, për të parë nëse të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje kanë mundësi për të bartur mesazhet e tyre tek votuesit”.

“Ne do t’i vëzhgojmë të gjitha përgatitjet për zgjedhje, si në nivel qendror – po ashtu edhe në nivel rajonal, në krejt Kosovën. Ne do të monitorojmë të gjitha raportimet që do të bëhen në media, për të parë nëse të gjitha subjektet politike kanë mundësi për të paraqitur mesazhet e tyre në zgjedhje. Dhe, po ashtu, do të bëjmë evaluimin e kornizës ligjore”.

“Por, ajo për të cilën ne nuk jemi këtu – është që të ndërhyjmë. Kemi një kod të mirësjelljes që thotë se ne nuk mund të ndërhyjmë në procesin zgjedhor, në praktikë kjo nënkupton që ne nuk mund t’ju themi njerëzve se çfarë të bëjnë, nuk mund të zgjidhim ndonjë problem dhe as të këshillojmë se çfarë duhet të bëjnë”, thotë Palmer, për “Radio Kosovën”.

“E tëra që mund të bëjmë është të vëzhgojmë dhe pastaj të raportojmë. Disa ditë pas zgjedhjeve në do të nxjerrim të gjeturat preliminare dhe pas përfundimit të misionit do ta hartojmë raportin tonë final, ku do të paraqitet puna jonë totale, dhe po ashtu, rekomandimet që mund të sugjerojnë përmirësimet në zgjedhjet e ardhshme”.

Peter Palmer thotë se është e pazakontë që BE’ja ka zbarkuar një mision vëzhgues për zgjedhje lokale.

“BE’ja, normalisht, nuk vepron kështu, por kjo nuk besoj që ka lidhje me zgjedhjet e kaluara. Kjo vetëm demonstron angazhimin që ka BE’ja në Kosovë. Është e qartë që ka pasur disa zhvillime gjatë këtyre muajve të fundit, procesi negociues midis Kosovës dhe Serbisë, në të cilin BE’ja ka pasur rol kyç, dhe, po ashtu, që për herë të parë zgjedhjet lokale organizohen në tërë territorin e Kosovës.”

“Qëllimi ynë është që të kemi 10 ekipe vëzhguese që do të shpërndahen në të gjithë vendin. Po ashtu, do të jetë një ekip i cili do të fokusohet vetëm në Veri”.