Nuk ndalet Prishtina, transferon sulmuesin e Flamurtarit

Skuadra e Prishtinës nuk e ka ndërmend të ndalet me përforcimet, para fillimit të sezonit të ardhshëm.

Sport

15/06/2019 14:14

Skuadra ‘bardh e kaltër’ ka afruar në radhët e saja sulmuesin me përvojë, Alban Shillova, i cili vishte fanellën e Flamurtarit.

Lojtari kishte edhe gjashtë muaj kontratë me skuadrën tjetër nga kryeqyteti, mirëpo Flamurtari e liroi lojtarin për transferim në Prishtinë.

Më poshtë lajmi.net ua përcjell njoftimin e plotë të FC Prishtina për këtë transferim.

Prishtinë, 15 qershor 2019 – Alban Shillova kishte edhe gjashtë muaj kontratë me Flamurtarin, por me mirëkuptimin e skuadrës kuqezi është arritur marrëveshja për transferimin në Prishtinë.

Sulmuesi 26 vjeç, i lindur më 13.08.1992 në Zllatar të Prishtinës, në klubin tonë vjen nga Flamurtari i Prishtinës me të cilën këtë edicion ka shënuar 11 gola (10 Superligë / 1 Kupë), ndërsa në 1,5 vite qëndrim në Flamurtar ka shënuar 16 gola.

Sulmuesi shtatlartë, është produkt i Shkollës së futbollit “Vigani”, ndërsa ka luajtur për KEK-un, Fushë Kosovën, Bylysin në Superligën e Shqipërisë si 18 vjeçar (7 ndeshje), Dritë 2 vite e gjysmë (15 gola), Liri gjashtë muaj (3 gola) dhe Vëllazni të Pozharanit, ndërsa së fundi në Flamurtar.

“Kam zgjedhur Prishtinën thjesht se është klubi më i madh në vend dhe më gjerë, sepse është duke e pritur mjaft gjatë titullin. Por, Prishtina sërish do ta ndjek titullin dhe ia vlen të provosh që së bashku të arrijmë deri te ai qëllim madhor”.

“Kam shëtitur në mjaft klube, besoj se me përvojën që tani kam, jam pjekur edhe si futbollist dhe ka ardhur koha e duhur të vesh fanellën e klubit të qytetit tim”.

“Është e vërtet që më pret konkurrencë e fort me sulmues shumë cilësor, megjithatë konkurrenca e rrit cilësinë dhe unë premtoj se do të jap maksimumin duke shpresuar se do të zë vend në formacion”, ka thënë sulmuesi, Shillova.

Përndryshe, Liridon Latifi ishte lojtari i fundit i ardhur nga Flamurtari më 2012 dhe pas shtatë vitesh Prishtina sërish transferon futbollistë nga kuqezinjtë e Prishtinës. /Lajmi.net/