Nuk na duhet Komisioni i Venedikut

Haki Demolli thotë se nuk është e nevojshme që të ftohet Komisioni i Venedikut. Sipas tij, Kryeministri Thaçi po e shfrytëzon këtë në mënyrë që ta zvarrisë reformën zgjedhore. Ai fajëson Thaçin për pengim të reformës.

Lajme

06/01/2014 14:17

Kërkesa e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që në Kosovë të ftohet Komisioni i Venedikut për ta ndihmuar vendin sa i përket reformës zgjedhore, është e panevojshme për ish-Kryetarin e Komisionit Parlamentar për ndryshimin e Ligjit Zgjedhor, Haki Demolli.

Në një intervistë për “Epoka e Re”, demolli ka thënë se reformën zgjedhore është duke e penguar vet Kryeministri Thaçi dhe partia e tij.

Sipas tij, i pari i Qeverisë është duke tentuar që ta zvarrisë procesin e reformës zgjedhore.

“Zvarritjet e reformës zgjedhore janë duke i bërë PDK’ja dhe lideri i saj. Që nga fillimi i reformës PDK’ja gjithmonë ka tentuar ta zvarrisë reformën”.

“Për mendimin tim, kjo është një lojë e radhës e kryeministrit në raport me reformën zgjedhore. Si duket ai po i shfrytëzon të gjitha mundësitë për t’u shmangur nga reforma e vërtetë zgjedhore. Fillimisht ai i ka shfrytëzuar mundësitë brenda ish-Komisionit për Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor”.

“Po ashtu, ai i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë në takimet joformale me liderët e partive politike”.

“Pra, duke përfshirë edhe takimet e fundit të cilat janë iniciuar nga ndërkombëtarët, kurse tani ai luan me letrën për ta ftuar Komisionin e Venedikut në mënyrë që ky komision ta japë mendimin e vet dhe ta hartojë ligjin zgjedhor për Kosovën”.

“Kjo është nënçmuese. Edhe kryeministri e di se këtu nuk është në pyetje profesionalizimi. Problemi qëndron diku tjetër, konkretisht te vullneti i brendshëm politik. Nëse liderët kanë vullnet politik, nuk do të kishte nevojë për një ftesë të tillë”, ka thënë Demolli.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi të shtunën ka thënë se është e nevojshme ndihma e Komisionit të Venedikut në mënyrë që të kalohet ngërçi ndërpartiak sa i përket reformës zgjedhore.