Nuk mund të ketë “asociacion” pa shpërbërjen e strukturave paralele

Ministrja për dialog, Edita Tahiri ka përsëritur se në Kosovë nuk do të ketë Bashkësi të komunave me shumicë serbe, nëse Serbia nuk ndërpret financimin e strukturave paralele.

Lajme

21/04/2015 08:44

Në Marrëveshjen e 19 prillit, të arritur para dy vitesh në Bruksel, prej 15 pikave të saj, gjashtë flasin për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Edhe dy vjet pas arritjes së marrëveshjes, qëllimi i së cilës ishte normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, palët vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për neglizhencë të zbatimit të marrëveshjes në terren, e cila pos themelimit të kësaj bashkësie, obligon dy qeveritë të punojnë në shpërbërjen e strukturave paralele në veri, integrimin e gjyqtarëve e policëve serbë në institucionet e Kosovës.

Ministrja Tahiri thotë se shpërbërja e strukturave paralele në veri të vendit, është kusht edhe për Serbinë por dhe për BE-në.

“Gjithsesi nuk mund të flitet për themelimin e Asociacionit përderisa vazhdon prezenca e strukturave paralele në veri. Shpërbërjen e tyre e ka parakusht edhe Serbia, por edhe BE-ja sepse nëse flasim për zbatim të plotë të Marrëveshjes, që përfshirën edhe gjendjen në veri, ne e kuptojmë si proces kur serbët e veriut duhet të integrohen në institucione të Republikës së Kosovës, por edhe në jetën shoqërore të saj. E për të ndodhur kjo duhet të mbyllen të gjitha strukturat paralele në veri”, ka thënë Tahiri për Zëri, duke shtuar se që prej muajit tetor të vitit të kaluar Serbia ka rritur përkrahjen për strukturat paralele, duke bërë kështu që të zbehet funksionimi normal i komunave legale atje, për çka është njoftuar edhe BE-ja.

Sipas Tahirit, sfidat në dialogun Kosovë-Serbi kanë të bëjnë me atë se Serbia tregon mungesë të vullnetit për të zbatuar marrëveshjet që vet i ka nënshkruar. “Sfidat janë të natyrës politike dhe sfidat janë të lidhura me atë që Serbia kohë pas kohe tregon munfesë të vullnetit për t’i zbatuar marrëveshjet, edhe pse i ka nënshkruar”.