Nuk ka vota të mjaftueshme për shkarkimin e rektorit Zejnullahu

Ka përfunduar mbledhja e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”.

Lajme

14/10/2015 20:57

Në këtë mbledhje nuk është aprovuar kërkesa e senatorëve për shkarkim të rektorit Ramadan Zejnullahu. Kjo kërkesë nuk është hedh në votim.

Burime brenda Rektoratit bëjnë të ditur se anëtarët e Këshillit nuk kanë pasur votat e duhura për të votuar pro shkarkimit të rektorit, prandaj sipas këtij burimi, kjo kërkesë është shtyrë të dalë si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e ardhshme të këshillit.

“Nuk besoj që do të ishte shtyrë për një mbledhje tjetër, por nuk arritën të sigurojnë gjashtë votat e duhura për aprovim të kërkesës së senatorëve për shkarkim të rektorit, janë përçarë mes vete, prandaj dhe e shtyn këtë pikë”, thotë ky burim.

Madje, as kërkesa tjetër që është vlerësuar prioritare ajo e studentëve për afate shtesë të provimeve nuk është debatuar fare, ndonëse dje studentët gjatë protestës kanë paralajmëruar se të enjten do të demolojnë objektin e Rektoratit në qoftë se Këshilli nuk miraton kërkesën e tyre sot.

Mbledhja është zhvilluar nën tensione. Përplasjet ndërmjet anëtarëve të këtij Këshilli kanë quar dhe në ndërprerjen e kësaj mbledhjeje përkohësisht. / Zëri