Nuk ka shans për rritje të pagave, thotë drejtori i buxhetit

Kosova realisht nuk ka asnjë kapacitet për t’i rritur pagat çdo vit nga 25 për qind, ka thënë drejtori i buxhetit në Ministrinë e Financave Agim Krasniqi.

Lajme

28/12/2014 14:38

Nuk ka pasur planifikim për rritje të pagave për 25% as nga qeveria e kaluar e as nga kjo e tashmja, ka thënë Krasniqi për Radio Kosovën. Arsyeja, sipas tij, është e thjeshtë, hapësirë të lirë për rritje të pagave nuk ka pasur.

“Realisht nuk ka asnjë kapacitet që Kosova me i rrit pagat nga 25 për qind çdo vit. Nuk ka. Përkundër që mund të ketë dikush vullnet apo dëshirë. Asnjë mundësi e tillë nuk ekziston. Fare. Prej tash nuk ekziston. Për arsye se po ti rrisim çdo vit nga 25%, më nuk ke çka merr, e tejkalojmë edhe mundësinë që e kemi në buxhet për investime. Nuk ka mundësi.”

Krasniqi po ashtu tha se nuk është planifikuar zbatimi i Kontratës Kolektive:

“Në këtë buxhet, të miratuar nga qeveria e kaluar dhe rikthyer në qeverinë e re, dhe dërguar në Kuvend, planifikime të tilla nuk ka. Megjithatë, ministri bashkë me sindikatën kanë diskutuar dhe po i shikojnë mundësitë që kur të flitet për Kontratën Kolektive, e cila ka shumë elemente që janë në Ligjin për paga dhe Ligjin për shërbimin civil, t’i kryejmë obligimet që janë ligjore.”

Drejtori i buxhetit tha se mundësitë janë shumë të vogla për plotësim të projektbuxhetit, i cili kaloi në leximin e parë në Kuvend. Kjo për faktin se mbi 90% e buxhetit është i zotuar, prandaj për ndryshime duhet pritur vitin pasues.

Projektligji i buxhetit, në lexim të dytë, është paraparë të shqyrtohet e mbase edhe miratohet në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.