Nuk ka Gjykatë Themelore në Veri

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, e përjashton mundësinë që të ketë Gjykatë Themelore në Veri. Sipas tij, atje do të ketë vetëm një divizion të Gjykatës së Apelit dhe asgjë më shumë.

Lajme

07/12/2013 12:08

Kërkesa e palës serbe për një Gjykatë Themelore të veçantë në Veri të Kosovës nuk do të pranohet nga autoritetet e Prishtinës.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.

Ai ka thënë se qëndrimi i palës kosovare është i qartë dhe sipas tij në Mitrovicën e Veriut do të ketë vetëm një divizion të Gjykatës së Apelit.

Të fundit që e kanë kërkuar Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut janë Kryetari i sapozgjedhur i kësaj komune, Krstimir Pantic dhe rivali i tij në këtë garë, Oliver Ivanovic. Sipas tyre, duke e refuzuar këtë, Prishtina po shkel Marrëveshjen e Brukselit.

Ndërtesa e Gjykatës në Mitrovicën e Veriut

“Janë çështje politike dhe ndoshta nuk duhet të bisedohet në këtë moment, mirëpo qëndrimi ynë është i qartë: nuk ka Gjykatë Themelore”.

“Nuk është degë e Gjykatës së Apelit, por është divizion që është më e vogël se dega. Është duke u biseduar ende”.

“Kërkesat e Serbisë kanë qenë për ashtu (Gjykatë Themelore), mirëpo ne po shpresojmë që nuk do të arrihet të themelohet Gjykatë Themelore e veçantë”.

Shuarja e gjykatave paralele në Veri tanimë ka përfunduar, sipas Pecit.

Por, pavarësisht optimizmit të tij, integrimi i gjykatave paralele në kornizën ligjore të Kosovës pritet të hasë në vështirësi. Pika në të cilën palët nuk po gjejnë një pajtim është se serbët po kërkojnë që përveç degës së Gjykatës së Apelit të kenë edhe një Gjykatë Themelore të veçantë.

Peci, gjithashtu, ka thënë se ende nuk ka një marrëveshje definitive për integrimin e gjykatave ilegale, por shpreson që do të ndodhë shumë shpejt dhe ato të funksionojnë në bazë të ligjeve të Kosovës.

“Një marrëveshje definitive nuk është arritur, pritet të ndodhë ashtu siç ka thënë edhe Kryeministri, që të vazhdojnë bisedimet”.

“Normalisht që marrëveshja dhe plani i implementimit janë që të zbatohet korniza ligjore e Kosovës dhe aty nuk ka diskutim. Kjo është çështje e përfunduar. Ne po presim për disa çështje teknike, si do të integrohet edhe stafi i gjyqtarëve dhe stafi mbështetës i gjykatave”.

Pas takimit të së enjtes në Bruksel, Kryeministrit Hashim Thaçi është shprehur i bindur se brenda javës së ardhshme do të përfundojë çështja për gjykatat dhe sistemi i drejtësisë do të fillojë të funksionojë edhe në Veri në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Integrimi i gjykatave ilegale të Veriut nën ombrellën ligjore të Kosovës është pjesë e Marrëveshjes së 19 Prillit në mes të Kryeministrave Thaçi-Dacic që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.