Nuk ka epidemi të fruthit në Kosovë

Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike ka bërë të ditur se në Kosovë nuk ka epidemi të fruthit.

Lajme

16/04/2019 14:54

Në Kosovë nuk ka epidemi të fruthit. Kështu ka bërë të ditur Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike përmes një njoftimi.

Sipas IKSHP-së, Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindjen më të lartë të vaksinimit.

“Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindje të lartë të vaksinimit. Sipas statistikave zyrtare, rreth 95 për qind e fëmijëve, janë vaksinuar, sukses ky që ka parandaluar epidemitë për 10 sëmundje vaksinë preventabile”, thuhet në njoftim.

“Kosova është ndër 42 vendet që kanë ndërprerë me sukses përhapjen endemike të fruthit, duke qenë që për 15 vjet nuk ka pasur raste të fruthit në Kosovë, falë shkallës së lartë të vaksinimit kundër fruthit dhe rubeolës në 95 për qind, me çka është mundësuar edhe rënie e intensitetit të
epidemisë së fruthit që u shfaqë në gjysmën e dytë të dhjetorit 2017, duke siguruar kështu një përgjigje efektive ndaj epidemisë. Me një shkallë të përgjithshme të imunizimit të fëmijëve në Kosovë mbi 95 për qind që realizohet në kuadër të Programit të Zgjeruar të Imunizimit (PZI), ky program konsiderohet si një prej storieve më të suksesshme të shëndetësisë kosovare, që e bën Kosovën të radhitet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket imunizimit”, bën të ditur IKSHP-ja.

IKSHP, bën të ditur se, Ministria e Shëndetësisë, ka miratuar planet për sigurimin e vaksinave dhe materialin tjetër të hartuar dhe implementuar nga ky Institut.

“Programi i Zgjeruar i Imunizimit është me prioritet të lartë nga Ministria e Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë ka miratuar politikat e imunizimit, planet për sigurimin e vaksinave dhe materialin tjetër të hartuar dhe implementuar nga IKSHP. Për të zvogëluar shkallën e lartë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, objektivi kryesor i PZI është arritja, e shkallës së lartë të përfshirjes me vaksinim të rregullt, sidomos e fëmijëve të grup-moshës 0-12 muaj”.

“Ne po realizojmë me plot sukses edhe programe të veçanta të përfshirjes së fëmijëve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, e serbë në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet =pa vaksinim. Duke i falënderuar PZI, në Kosova nuk ka sot paralizë të fëmijëve, nuk ka difteri nga 1981 si dhe është përqafuar programi për eliminimin e fruthit dhe kontrollin e rubeolës kongjenitale. Imunizimi është një nga intervenimet më efektive të shëndetit publik dhe ka potencial për të reduktuar vdekshmërinë e fëmijëve dhe do promovohet imunizimi”, thuhet në njoftim.

IKSHP po ashtu ka bërë të ditur se të gjithë ata fëmijë të vaksinuar me rregull nuk do të sëmuren nga fruthi.

“Andaj, apelojmë te të gjithë prindët të cilët për shkaqe të ndryshme nuk i kanë vaksinuar fëmijët e tyre kundër fruthit por edhe kundër sëmundjeve tjera vaksinë preventabile, të lajmërohen menjëherë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familiare në komunat përkatëse për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve të tyre”, thuthet në njoftim. /Lajmi.net/