Nuk ka angazhim
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se menjëherë pas publikimit të Raportit të Progresit është dashur të mblidhej Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.
Lajme
Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili drejtohet nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është duke i munguar angazhimi.
Kështu ka konstatuar Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni.
Në një intervistë për Epokën e Re, ai ka pohuar se pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Europian për Kosovën, ky Këshill – pjesë e të cilit është edhe ai, është dashur të mblidhej menjëherë.
“Nisma ishte e mirë. Edhe ideja e mirë. Por, është duke munguar angazhimi”.
Preteni ka thënë se dinamika e takimeve nuk është sipas kërkesave dhe nevojës.
“Menjëherë pas publikimit të Raportit të Progresit është dashur të takohen anëtarët e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit për të debatuar në lidhje me të gjeturat e këtij Raporti dhe për detyrat që duhet të ndërmerren në vijim”, ka thënë Preteni për Epokën e Re.
Ai ka vlerësuar se Raporti është real dhe mangësitë janë të adresuara mirë, duke tërhequr vërejtjen në vazhdim se institucionet e vendit duhet të veprojnë më me urgjencë dhe me seriozitet.
Preteni ka deklaruar se gjatë këtij viti ka pasur rritje të numrit të rasteve korruptive, si dhe është rritur numri i kallëzimeve penale.
Ai ka vlerësuar se fusha e prokurimit publik vazhdon të mbetet me problematikja për sa i përket nivelit të lartë të korrupsionit.
“Fusha e prokurimit ende mbetet shumë problematike. Korrupsion ka edhe në nivelin qendror dhe në atë lokal”.