Nuk i përgjigjen Kosovës

Zbatimi i marrëveshjes për qarkullimin e mallrave dhe kapitalit në Veri të Kosovës po has në vështirësi. Tregtarë serbë hezitojnë të paguajnë detyrimet në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lajme

14/12/2013 17:11

Tregtarë serbë janë duke refuzuar të paguajnë detyrimet në pikën kufitare të Jarnijë.

Në ditën kur ka filluar zbatimi i dispozitave për qarkullimin e mallrave dhe kapitalit në Veri të Kosovës, që parashihet me marrëveshjet e arritura në Bruksel, maune që hyjnë nga Serbia në Kosovë, janë paraqitur problemet e para me pagesa.

Zyrtarët e Doganave të Kosovës bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se rreth 14 drejtues të mauneve po hezitojnë të kryejnë obligimet doganore dhe inkasimet në pikën kufitare Jarinjë, me pretendimet se në zonën doganore kanë hyrë një ditë më parë.

“Është një protestë e disa importuesve, të çilët janë të pakënaqur, pasi që pretendojnë se kanë hyrë një ditë më herët dhe nuk duan të paguajnë. Dogana u ka dhënë mundësinë e një ankese, por paraprakisht duhet të bëhet pagesa. Nëse vërtetohet ajo që ata kanë hyrë me dokumente një ditë më parë, do të kthehen paratë”, ka thënë zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Nga sot, në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në Jarinjë dhe Bërnjak, ka nisur zbatimi i marrëveshjes për qarkullimin e mallrave dhe kapitaleve në Veri të Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë, se punët lidhur me këtë çështje, janë duke shkuar mirë dhe se, sipas tij, nuk ka kundërshtime për t’ju nënshtruar procedurave doganore.

“Të gjitha procedurat janë duke u kryer konform kodit të doganave dhe akcizës. Deri tash nuk kemi pasur ndonjë hezitim për të bërë pagesën ose për të mos iu nënshtruar procedurave doganore. Gjithçka është duke shkuar sipas ligjeve dhe konform marrëveshjes së Brukselit”.

Rafuna ka bërë të ditur se nga Serbia në Republikën e Kosovës ka hyrje të ndryshme të mallrave. Ato, sipas tij, nuk shkojnë vetëm në veri të vendit, por edhe për pjesën tjetër të Kosovës.