Nuk i ndahen Malishevës

Zyrtarë të PDK’së vazhdojnë ta vizitojnë Malishevën, shpesh e më shpesh. Kadri Veseli thotë se PDK do ta fitojë më bindshëm se çdoherë tjetër këtë Komunë.

Lajme

17/10/2013 16:33

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës i kanë shpeshtuar vizitat e tyre elektorale në Malishevë.

Pritjet e tyre janë të mëdha në këtë Komunë, për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ndonëse  garën atje mendohet se do ta bëjë të fuqishme Iniciativa Qytetare për Malishevën, e mbështetur nga Fatmir Limaj.

Të enjten, në Malishevë kanë qëndruar ZëvendësKryetari i Parë i PDK’së, Kadri Veseli dhe  Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, të cilët janë takuar me Kandidatin e PDK’së për Malishevën Isni Kilaj dhe aktivistët e kësaj partie atje.

Siç njoftohet, ata kanë dërguar mesazhe për fushatë të qetë dhe pjekuri në ditën e zgjedhjeve.

“Do të fitojmë më bindshëm se çdo herë tjetër në Malishevë me Kryetarin Isni Kilaj dhe për këtë jemi të sigurt, duke parë gatishmërinë dhe përkrahjen e qytetarëve të Malishevës. Fitorja do të jetë bindëse”, ka thënë Kadri Veseli.