Nuk fitohet më me viktimizim

Ali Berisha thotë se AAK nuk ndjen përgjegjësi për vrasjet e pasluftës në Pejë. Fton Gazmend Muhaxherin t’i japë në Gjykatë ato që di. Beson se ky fjalor akuzues vjen pasi që Kundërkandidati i tij ndjehet i pasigurt në rezultatin e 1 dhjetorit.

Lajme

26/11/2013 15:06

Fjalori nuk është tërësisht elektoral në ditët e fundit përderisa kandidatët në garë po i afrohen balotazhit, testit të dytë me votën popullore.

Diku shtyhen me projekte, diku me ndërkëmbëza politike, por në Pejë duket pak më ndryshe, pak më ashpër.

Tash e dy ditë, gjuha elektorale në këtë Komunë duket se i ka kaluar përmasat e garës politike dhe është bërë arenë akuzash të denja për procese gjyqësore penale.

Kandidati i LDK’së për Kryetar të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka akuzuar struktura të AAK’së të jenë përgjegjës për disa vrasje ende të pandriçuara të pasluftës.

Por, Kryetari i Pejës, Ali Berisha, i cili drejton edhe Degën e AAK’së në këtë Komunë, në një bisedë për lajmi.net, thotë se kjo parti nuk e ndjen veten përgjegjëse për vrasjet e pasluftës.

“Jo, për asnjë moment AAK nuk e ndjen veten përgjegjëse për vrasjet e pasluftës në Pejë”.

“Kushdo që ka ndonjë akuzë, ndonjë argument, duhet të bashkëpunojë me organet e drejtësisë”.

Në raundin e parë të zgjedhjeve më 3 nëntor, Gazmend Muhaxheri ka rezultuar më i votuari ndër kandidatët tjerë me 16.608 vota, ose 40.85 për qind. Ai është pasuar nga Ali Berisha i LDK’së me 14.683 vota, ose 36.12 për qind.

Por, Berisha, pavarësisht disavantazhit nga raundi i parë, thotë se rivali i tij po akuzon për shkak se “po ndihet i pasigurt” në rezultatin që do ta marrë më 1 dhjetor.

“Për shkak të pasigurisë së tij, rrëshqitjes së terrenit kah humbja, tani ai e ka ashpërsuar gjuhën duke akuzuar për raste të cilat vazhdimisht po tentohen para çdo fushate zgjedhore”.

“Nëse është kandidat serioz, nëse është një njeri i cili kandidon të jetë Kryetar i Komunës së Pejës, ai (Muhaxheri)  duhet të bashkëpunojë me gjykatën dhe me policinë, dhe për këdo që ka ndonjë fakt të caktuar për implikim në vrasje apo në krime të caktuara, duhet të paraqitet para drejtësisë dhe policisë, e jo të kenë akuza të tilla të cilat janë vetëm për fushatë elektorale dhe ngrisin tensione te qytetarët e Pejës për banorët e kësaj komune pa kurrfarë arsye”.

Sipas Berishës, Kandidati i LDK’së e ka të sigurt humbjen më 1 dhjetor.

“Akuzat vijnë si rezultat i asaj që tani ai e ka pa pothuajse humbjen e sigurt, dhe e di që e ka momentin e fundit për t’u marrë me politikë”.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që Berisha dhe Muhaxheri përballen në një garë balotazhi. Në vitin 2007, Berisha kishte fituar bindshëm me 17.969 vota ndaj Muhaxherit, i cili duke kandiduar për Partinë Reformiste Ora, kishte marrë 8.501 vota në balotazh për Pejën

“Duke luajtur rolin e viktimës, ai i cili asnjëherë s’ka qenë viktimë, mundohet që të fitojë vota tek elektorati. Por, ajo ajo periudhë në Pejë por edhe në Kosovë ka kaluar”.

Ai fton për fushatë të qetë dhe pa tensione.

“Komunës së Pejës, por as Kosovës, nuk i nevojiten tensionet, por i nevojiten programet e caktuara zhvillimore të cilat e zhvillojnë Kosovën”.

“Besoj, çdo gjuhë e urrejtjes është një gjuhë e cila tash për aktualitetin e Kosovës nuk zë vend”.

Ai pret që AAK ta përmbysë rezultatin në Pejë, për dallim nga raundi i parë kur edhe vetë Berisha e ka pranuar se nuk ka punuar sa duhet që ta mobilizojë elektoratin për të dalë në zgjedhje.

“Nuk kemi pasur mobilizim të rritur te elektorati dhe nuk kemi pasur rezultatin e pritur. Ditët e fundit kemi punuar mjaft në teren me elektoratin, me strukturat, me banorët e komunës dhe rezultati do të jetë krejt tjetër”.

Në përpjekje për ta bërë këtë, AAK ka lidhur koalicion me PDK’në e cila nuk mori vota të mjaftueshme për balotazh. Berisha thotë se askush nuk ka mbetur i habitur nga kjo marrëveshje.

“AAK e ka pasur gjithmonë të përafërt elektoratin me atë të PDK’së. Nuk ka qenë befasi, është elektorat i natyrshëm dhe edhe elektorati i PDK’së konform nevojës për mbështetje”.

“Besoj në rezultat pozitiv duke u bazuar edhe në mbështetjen që e kemi nga PDK”, thotë Ali Berisha për lajmi.net.