Nuk është rep, është realitet
Ismet Beqiri bashkëpunimin e tij me Grupin ‘Aurora’ e ka shtrirë edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ky bend muzikor nga sot ka aderuar zyrtarisht në LDK.

Lajme
Bashkëpunimin e nisur vite më parë me këngën “Prishtina”, Nazmi Sfishta dhe Ismet Beqiri e kanë kristalizuar me aderimin e Grupi muzikor “Aurora” në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së kishte organizuar një pritje të veçantë për Nazin e “Aurores”, në Shtabin Zgjedhor të kësaj partie, duke e konsideruar aderimin e këtij grupi muzikor nder për partinë.
Beqiri kishte realizuar një këngë të përbashkët me “Auroren” kur ai ishte Kryetar i Prishtinës, që duket se ishte inspiruar asokohe nga kënga e përbashkët “Tirona” të cilën e kishin bërë bashkë Edi Rama dhe Grupi i njohur West Side Family, në kohën kur Kryeministri aktul i Shqipërisë ishte Kryetar i Tiranës.
Aty, ndër të tjera, Beqiri, duke e lavdëruar Prishtinën, këndon: \”Nuk është vetëm rep, është realitet\”.
Lideri i Grupit “Aurora”, Nazmi Sfishta, tha se ka vendosur që sot zyrtarisht të jetë pjesë e LDK’së.
“Është nderë dhe privilegj për mua dhe për grupin ‘Aurora’ që po bëhemi pjesë e LDK`së”.
“LDK është dëshmuar dhe po dëshmohet që është parti e suksesit, progresit, konstruktivitetit dhe vlerave demokratike”.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri, tha se aderimi i Grupit “Aurora” po dëshmon se kjo pari është e hapur për rininë.
“Për LDK’në është privilegj dhe nder që Sfishta me kolegët e tij do të jetë pjesë kreative e LDK’së dhe do të japin kontributin e tyre, ashtu siç janë të njohur edhe në botën e kulturës”.
“Kjo dëshmon që LDK, veçmas për të rinjët, për idetë dhe vlerat kreative, është e hapur”.
Më poshtë gjeni të bashkëangjitur duetin e përbashkët të Grupit “Aurora” me Ismet Beqirin.