Nuk dyshon në 90 për qind

Hashim Thaçi pret fitore me mbi 90 për qind në Skenderaj, të cilën e quajti - historike. Thotë se PDK është më e mira dhe Numër 1.

Lajme

28/10/2013 21:03

PDK ka përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Skenderaj, të hënën, e lideri i saj Hashim Thaçi ka thënë se nuk dyshon që edhe kësaj radhe do të ketë një fitore historike dhe do të fitojë me mbi 90 për qind të votave në këtë Komunë.

Ai ka deklaruar se PDK është më e mira dhe Numër 1.

I ka ftuar të gjithë, mësimdhënës, punëtorë të shëndetësisë, pensionistë, bashkëluftëtarë, veteran të luftës, familje të dëshmorëve, invalid të luftës, të dalin të votojnë më 3 nëntor, duke thënë se e ardhmja e Skenderajt Europian është në duart e qytetarëve.

“Ne jemi kudo duke organizuar një fushatë madhështore, të konkurrencës së lirë, por përsëri PDK është më e mira, është partia Numër 1 dhe do të  jetë fituese edhe në zgjedhjet e 3 nëntorit.”

“Jemi të hendikepuar pa Kryetarin Sami Lushtaku, pa Gjeneralin Sylejman Selimi, por të jeni të bindur se forca dhe drejtësia e luftës së tyre, e luftës sonë, e popullit të Kosovës, është e drejtë dhe do të ngadhënjejë mbi shpifjen dhe intrigën”.

Kryeministri Thaçi ka pohuar se me ardhjen e tij në krye të Qeverisë së Kosovës, në vitin 2007, ka ndodhur ndryshimi për mirë.

“Juve secilit ju kujtohet se s’kanë investuar kur e kishin pushtetin në nivel qendror për 8 vjet, as nuk kanë investuar në ndërtimin e shkollave të reja, as ndërtimin e rrugëve të reja, as kanalizimeve, as ujësjellësve, e as të asnjë projekti që ka qenë në interesin e qytetarëve  të Skenderajt dhe të Drenicës.”

“Për 50 vjet të diskriminuar dhe izoluar, por në kohën e Jugosllavisë, po them, por edhe për 7 vjet tjera të injoruara nga pushtetarët e atëhershëm. Ndodhi ndryshimi i madh në vitin 2007 dhe sot e gjithë Drenica dhe Kosova ka ndryshuar për të mirë dhe ky ndryshim do të vazhdojë edhe më tutje”.

Hashim Thaçi ka deklaruar më tutje se ashtu siç ka qenë Drenica – Ushtri Çlirimtare e Kosovës, sot vazhdon të jetë Parti Demokratike e Kosovës – parti e progresit.