Nuk duhet të ketë zgjedhje serbe në Kosovë

Azem Vllasi thotë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk ka ndonjë efekt politik, por është poshtërim i radhës për vendin. Sipas tij, për këtë vendosin ndërkombëtarët. Ndërsa mendon se gjithmonë del e kundërta me atë çfarë thonë vendorët.

Lajme

02/03/2014 06:52

Analisti politik, Azem Vllasi mendon se faktori ndërkombëtar është ai që e thotë fjalën e fundit, nëse zgjedhjet e përgjithshme serbe do të mbahen edhe në Kosovë.

Autoritetet kosovare vazhdimisht kanë deklaruar se nuk do të lejojnë përsëritjen e skenarit të vitit 2012, kur zgjedhjet serbe u organizuan me ndihmën e OSBE`së, brenda territorit të Kosovës, me vendvotime të hapura nëpër vendbanimet e serbëve.

Megjithatë, deklaratat e zyrtarëve vendas, Vllasi nuk i sheh si serioze. Sipas tij, sa herë që është thënë jo, gjithmonë ka ndodhur e kundërta.

Në një bisedë për lajmi.net, Vllasi thotë se nëse zgjedhjet mbahen, nuk kanë  ndonjë efekt politik, por e quan poshtërim të radhës për autoritetet vendore.

“Mjerisht unë besoj që institucionet e Kosovës do të lejojnë diçka që i kërkojnë ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët thonë se mos e bëni të madhe këtë punë, sepse nuk është esenciale, politike dhe ndoshta do ta lejojnë “.

“Esencialisht dhe politikisht nuk ndodh asgjë, nëse mbahen zgjedhjet. Serbët dalin të votojnë edhe ato vota dërgohen në Serbi, por është një poshtërim i radhës që vendorët çfarë thonë se nuk do të bëhet, ajo po bëhet”

“Për këto zgjedhje do të vendosin ndërkombëtarët. Ndërsa nga përvojat e tanishme nëse thonë vendorët që diçka e tillë nuk do të bëhet, pikërisht ajo do të bëhet”.

“Zgjedhje të Serbisë nuk duhet të ketë, atëherë ishte për shkak të pjesës veriore të Kosovës”.

Zyrtarët serbë janë deklaruar zëshëm disa herë që zgjedhjet e jashtëzakonshme serbe të cilat mbahen më 16 mars, do të organizohen edhe në Kosovë.

Në vitin 2012, votimet e serbëve në Kosovë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë ishin lehtësuar nga misioni i OSBE`së, në Kosovë.

Por një mundësi të tillë e ka hedhur poshtë Zëvendës Kryeministri Hajredin Kuçi. Në një intervistë për lajmi.net ai kishte thënë se Serbisë nuk do t’i lejohet të organizojë zgjedhjet nacionale në Kosovë.

Por sipas, tij do të respektohet e drejta e qytetarëve serb me nënshtetësi të dyfishtë, që të votojnë qoftë përmes postës, Zyrës Ndërlidhëse, apo edhe përmes misionit OSBE.