Nuk do të hyjnë në Kosovë
Ministri Bajram Rexhepi thotë se nuk do të pranohet asnjë kërkesë e zyrtarëve serbë për të hyrë në Kosovë gjatë zgjedhjeve të 1 dhjetorit. Ai deklaron se janë bërë të gjitha përgatitjet për të siguruar ambient të qetë në veri të vendit.

Lajme
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi thotë se Policia e Kosovës së bashku me KFOR`in dhe EULEX`in i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të ofruar siguri gjatë zgjedhjeve të balotazhit në veri të Kosovës.
“Ne jemi të bindur se përgatitjet e duhura janë bërë në bashkëpunim me EULEX`in dhe KFOR`in. Kemi pasur shumë takime planet operative janë të përgatitura”.
“Me të drejtë presim që këtë herë të shkojmë qetë pa përdorim të dhunës dhe qytetarët e komunitetit serb dhe të komunave të veriut, po ashtu edhe të komuniteteve tjera, nëse duan të marrin pjesë sidomos në Mitrovicën veriore kanë të drejtë, lirshëm ta shprehin vullnetin e tyre dhe votën e tyre”.
Ministri Rexhepi ka thënë se kërkesat eventuale të zyrtarëve të qeverisë serbe për të hyrë në Kosovë gjatë këtyre ditëve, do të refuzohen.
“Nuk do të kenë një mundësi të tillë për arsye se do të respektohen të gjitha rregullativat e Komisionit Qendror Zgjedhor që edhe dita e heshtjes edhe e votimit mos të ketë zyrtarë të tillë. Edhe nëse do të ketë kërkesa, ato nuk do të pranohen”.
“Nuk do të lejohen as zyrtarë të tillë, por as persona të mbrojtjes civile nuk do të jenë prezente afër qendrave të votimit”.