Nuk bën hiç Kryetar Shqipar

Sipas Aleksandar Vulin, aktualisht shqiptarët kanë një epërsi prej 2.500 votash në Mitrovicën e Veriut. Me këtë gjendje, ai thotë se \"dikush nga shqiptarët do të jetë Kryetar Komune”.

Lajme

07/11/2013 12:23

Beogradi po mundohet me çdo kusht që Mitrovica e Veriut të bëhet me një kryetar serb, pas zgjedhjeve që do të përsëriten më 17 nëntor.

Ministri serb pa Portofol, i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, ka bërë të ditur sot në Beograd se në bazë të numërimit aktual të fletëvotimeve për Kryetar të Mitrovicës së Veriut, “shqiptarët janë duke udhëhequr”.

Por, ai ka bërë të ditur, se ky rezultat mund të përmbyset kur zgjedhjet në tri vendvotime të përsëriten.

Vulin ka folur para Komisionit Parlamentar Serb për Kosovën, në të cilën zgjedhjet e 3 nëntorit ishin pika e vetme e rendit të ditës.

Sipas Vulin, aktualisht shqiptarët kanë një epërsi prej 2.500 votash në Mitrovicën e Veriut dhe, me këtë gjendje “dikush nga shqiptarët do të jetë kryetar komune”. Ai ka shtuar se, sipas informacioneve jozyrtare që ka, në Zubin Potok, komunë në të cilën kanë dalë rreth 22 për qind e votuesve në zgjedhje, ka fituar kandidati i “Listës Serbe”.

Ai ka thënë se situatë e njëjtë qëndron edhe në Leposaviq dhe Zveçan ku përqindja e pjesëmarrjes ka qenë pak më e ulët.