Nuk bëhem marionetë e askujt, as e politikës
Anton Berishaj e kishte pasur një kërkesë si kusht për të pranuar ofertën e Këshillit Drejtues që t’i hyjë garës për postin e ushtruesit të detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës
Lajme
Anton Berishaj e kishte pasur një kërkesë si kusht për të pranuar ofertën e Këshillit Drejtues (KD) që t’i hyjë garës për postin e ushtruesit të detyrës (u.d) së rektorit të Universitetit të Prishtinës.
Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, të parën pas marrjes së postit, Berishaj ka kërkuar nga Këshilli Drejtues hapësirë për të vepruar.
Për ta bërë këtë gjë siç duhet, ka thënë se ka kërkuar që t’i lejohet t’i zgjedhë vetë bashkëpunëtorët dhe pa u penguar nga askush.
Gjithashtu ka thënë se ka kërkuar që të lihet i qetë në marrjen e vendimeve dhe se nuk dëshiron të bëhet marionetë e askujt, as e politikës.
Lidhur me premtimin që e ka bërë për ndarjen e UP’së, nga politika, Berishaj ka thënë se këtë do ta bëjë duke parandaluar instalimin e kuadrove që punojnë për shije politikës.
Kurse për premtimin tjetër për publikimin e të gjitha CV-ve të stafit akademik që punon në UP, ka thënë se “është çështje teknike” dhe se atë do ta realizojë pa mëdyshje.
Në pyetjen e Kohës drejtuar Anton Berishajt se si do ta bëj ndarjen e UP’së nga politika, ai është përgjigjur kështu:
“Ja si e kuptoj unë këtë gjë: të mos më instalohen kuadro që punojnë për shije të politikës, ata që së pari e mbrojnë politikën, apo interesat e një partie të caktuar politike, e më vonë nëse mundet të gjendet një fije që mund të puqet edhe me interesat tona, të UP-së, studentëve. Nuk dua këtë. Unë kërkoj respektim të statutit pikë për pikë. Që kur të hape konkursi për një asistent apo profesor, të mos biem pre e telefonatave dhe e presioneve për të pranuar ose jo dikë në punë”.
“Ai do të zgjidhet vetëm nëse i pranon kriteret. As më shumë as më pak. Dhe me këtë unë nuk po i shpall luftë politikës, sepse nuk jam i çmendur. Dhe as nuk dua që njerëzve t’ua largoj nga kokat bindjet politike. Le të merret kush të dojë me politikë, por nuk dua që ajo të reflektohet në punën time. Për aq kohë sa do të jem këtu. Në momentin që do të vërej se kjo gjë po shkon ndryshe, unë do të tërhiqem, nëse politika ma ngushton hapësirën…”.