Norvegjia e gatshme ta mbështes Kosovën në procesin e integrimeve euroatlantike dhe proceset tjera

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide.

Lajme

25/06/2019 11:50

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide, me të cilën ka biseduar rreth aktualitet politik në Kosovë dhe rajon, thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe të ardhmen e përbashkët euro-atlantike.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar ministren Søreide për progresin e Kosovës, prioritetet e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, avancimin në Agjendën e Reformave Evropiane dhe në sundimin e rendit.

Haradinaj ka falënderuar Norvegjinë për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës në proceset e shtetndërtimit, duke thënë se Qeveria është e përkushtuar për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, ekonomisë, edukimit dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët, shkruan lajmi.net.

“Norvegjia ka ndihmuar në avancimin dhe zhvillimin demokratik të shumë proceseve në Kosovë dhe për këtë u jemi mirënjohës”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e mëtejme të Norvegjisë në procesin e konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të vendit.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar për një dialog të kornizuar dhe përmbajtjesor me Serbinë që çon në një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe me njohje reciproke mes dyja vendeve.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide, shprehu gatishmërinë e Norvegjisë për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike dhe proceset tjera. /Lajmi.net/