Norvegji: Nis gjykimi ndaj dy vëllezërve kosovarë që iu bashkuan ISIS-it

Në Norvegji ka filluar gjykimi i tre personave të dyshuar për terrorizëm. Dy prej tyre janë vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli me origjinë nga Kosova dhe personi i tretë është me prejardhje somaleze.

Bota

25/02/2015 13:08

Për herë të parë në Norvegji, gjykata kryesore e këtij vendi ka nisur gjykimin e tre shtetasve të saj të dyshuar për terrorizëm. Por asnjëri nga këta të tre nuk është me origjinë nga Norvegjia. Njëri prej tyre është nga Somalia e dy të tjerë nga Kosova.

Përderisa somalezi Djibrill Bashir akuzohet vetëm për pjesëmarrje në luftën krah organizatës Shteti Islamik në Irak dhe Siri, dy vëllezërit kosovar, Valon dhe Visar Avdyli, akuzohen edhe për rekrutim të xhihadistëve nga Norvegjia.

“Djibrill Bashir dhe Valon Avdyli akuzohen se kanë marrë pjesë në luftimet krah për krah ISIS-it në një grup terrorist në Siri. Avdyli së bashku me vëllan tij më të ri, Visarin, akuzohen se kanë rekrutuar xhihadistë për t’i dërguar në ekipet ushtarake të ISIS-it në Siri në prillin e vitit 2014”, raporton AFP.

Ky është gjykimi i parë në Norvegji që lidhet me ISIS. Gjithashtu është gjykimi i parë që thirret në nenin apo dispozitën e re ligjore të ndjekjes së shtetasve norvegjez që marrin pjesë në çfarëdo lloj angazhimi ekonomik apo fizik në një organizatë terroriste. Kjo vepër është e dënueshme në maksimum prej 6 vitesh burg.

Të tre të dyshuarit kanë mohuar akuzat, edhe pse Bashir ka pranuar se i është bashkuar ISIS-it në vitin 2013, por jo në luftime, transmeton indeksonline.