Norvegjezi që vrau 77 persona paraqet kërkesë për falje të dënimit

Vrasësi masiv nga Norvegjia, Anders Breivik, do të aplikojë për falje të dënimit. Lajmin e bëri të ditur avokati i tij.

Bota

16/09/2020 15:22

Ekstremisti i djathtë kishte vrarë tetë persona përmes shpërthimit të bombës në Oslo dhe i kishte qëlluar për vdekje 69 të tjerë në një ishull afër kryeqytetit norvegjez. Shumë prej viktimave ishin adoleshentë që po merrnin pjesë në një kamp. Sulmet e tmerrshme i kishte kryer në korrik të vitit 2011.

Një vit më vonë, ai ishte dënuar me 21 vjet burgim, që është dënimi më i lartë sipas ligjeve norvegjeze. Sidoqoftë, ky dënim mund t’i zgjatet për kohë të pakufizuar më vonë.

Ndonëse ai do të ketë të drejtë të kërkojë falje të pjesës së mbetur të dënimit pasi t’i ketë kaluar dhjetë vjet në burg – kohë që përmbushet në korrik të vitit të ardhshëm, u përket gjykatave të vendosin nëse lirimi i tij është vendimi i duhur, shkruan Reuters, transmeton GE.

“Me kërkesën e tij, unë kam dërguar kërkesë për falje. Kjo është një e drejtë që të gjithë të burgosurit e kanë dhe ai dëshiron ta përdorë”, tha avokati Oeystein Storrvik.

Në vitin 2015, Breivik ishte përpjekur ta padiste shtetin norvegjez për t’u liruar nga burgu me arsyetimin se kushtet e rrepta në të cilat po mbahej paraqesin shkelje të të drejtave njerëzore.