Normalizimi si kusht për integrim

Enver Hoxhaj thotë se integrimi i serbëve në shoqërinë kosovare dhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është kruciale për integrim në BE. Ai flet edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, të cilin e quan një proces të vonuar.

Lajme

20/12/2013 14:00

Shuarja e strukturave paralele të sigurisë dhe policisë në Veri, integrimi i plotë i komunitetit serb në institucionet e Kosovës, pranimi i sovranitetit të Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike, përbëjnë katër elemente kryesore në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kështu vlerëson Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Në një prononcim për RTK’në, Hoxhaj tha se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, është ndër elementet kryesore për integrim në BE.

“Pa këto elemente, nuk do të ketë normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve. Shtetet anëtare të BE’së, mbështesin një proces afatgjatë të marrëdhënieve në mes dy vendeve”.

I pyetur për shtimin e vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës, Hoxhaj tha se komunitetit serb, do të duhej që t’i garantohen këto vende të rezervuara për këtë mandat.

“Mendoj se është në interes të shtetit dhe shoqërisë kosovar. Por, këto janë çështje që shkojnë përtej pikëpamjeve të mija personale dhe politike”.

“Mendoj se në javët në vazhdim, do të kemi një qëndrim zyrtar nga të gjitha partitë politike sa i përket kësaj çështje”.

Shefi i diplomacisë kosovare, gjithashtu ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Hoxhaj e quan të pa drejtë vonesën e vendimi për heqjen e vizave me BE’në pasi që, sipas tij, Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet për t’ju hequr regjimi i vizave.

“Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkan, të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e BE’së. Sipas mendimi tim, Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për të marrë liberalizimin e vizave. Këto pengesa që po i bëhen kosovarëve për të udhëtuar pa viza, përbën shkelje themelore të të drejtave të njeriut”.

Hoxhaj përmendi edhe vendosjen e vizave për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës.

“Për 6 vite më radhë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Bosnja dhe Hercegovina vazhdon ta aplikojë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që nënkupton diskriminim sistematik”.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës, qofshin ata shqiptar, serbë, boshnjak apo edhe të komuniteteve të tjera, nuk mund të udhëtojnë në Bosnje pa viza”.