Njohje tajlandeze

Tajlanda ka njohur Pavarësinë e Kosovës, duke u bërë kështu vendi i 104’të që ka pranuar shtetin e Kosovës. Ministri Enver Hoxhaj ka konfirmuar lajmin. Kryeministri Thaçi ka marrë konfirmimin nga Ministri i Punëve të Jashtme të Tajlandës, në New York.

Lajme

26/09/2013 19:58

(E Plotësuar)

Minsitri Enver Hoxhaj ka konfirmuar njohjen nga Tajlanda, në llogarinë e tij në Twitter.

“Falemnderit Tajlandë për marrjen e vendimit për të njohur Kosovën”, ka shkruar ai.

Kryeministri Hashim Thaçi ka marrë konfirmimin për njohjen e pavarësisë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Tajlandës, Surapong Tovichakchaikul, gjatë një takimi në New York.

Ai ka falënderuar Tajlandën për njohjen derisa ka ftuar Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Kryeministrin e Tajlandës që të vizitojnë Kosovën.

“Është një lajm shumë i mirë, i gëzueshëm për Kosovën, dhe një lajm shumë i mirë dhe i gëzueshëm edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë. Ne do të vëmë së shpejti marrëdhënie ndër-bilaterale në mes të Tajlandës dhe Republikës së Kosovës. Është një njohje që e plotëson angazhimin tonë të fuqishëm për të ardhmen tonë që të jemi pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Pritet njohja nga Tajlanda

Tajlanda është shteti i 104 që do ta njohë Kosovën e pavarur, thonë burime të lajmi.net.

Kryeministri Hashim Thaçi pritet ta marrë konfirmimin nga Ministri i Punëve të Jashtme të Tajlandës, Surapong Tovichakchaikul, gjatë një takimi në New York.

Kërkesën zyrtare për njohje nga Tajlanda, Ministri Enver Hoxhaj e kishte dorëzuar në maj të vitit të kaluar, gjatë një takimi dypalësh në Bangkok.

“Ne jemi shumë të përkushtuar që të vendosim marrëdhënie diplomatike me Mbretërinë e Tajlandës dhe t’i forcojmë lidhjet e bashkëpunimit dhe miqësisë në mes të dy vendeve dhe popujve tanë”, kishte thënë Ministri Hoxhaj, pasi i kishte dorëzuar kërkesën e njohjes.

Ministri Enver Hoxhaj, një ditë më parë, ka thënë për lajmi.net se procesi i njohjeve për Kosovën është i pandalshëm dhe se pas Grenadës e Libisë, një shtet tjetër nga Azia tashmë ka marrë vendim për njohje.