Njohësit e kushtetutës: Kurti po bën ‘luftë’ të re politike, Thaçi nuk mund të shkarkohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar sot marrëveshjen të cilën Hashim Thaçi në vitin 2013 e kishte nënshkruar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Lajme

26/02/2020 13:48

Në vitin 2013, gjatë kohës së ishte kryeministër, Hashim Thaçi kishte nënshkruar një marrëveshje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në atë kohë, Anders Fogh Rasmussen, përmes së cilës kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Këtë marrëveshje e ka publikuar sot Zyra e Kryeministrit të Kosovës, raporton lajmi.net.

Pas kësaj, kryeministri Kurti i ka nisur një letër kryeparlamentares, Vjosa Osmani, presidentit Hashim Thaçi si dhe kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi.

Lexo edhe: 

Kurti njofton Osmanin për një “marrëveshje të fshehtë të Thaçit me Sekretarin e NATO-s”

E pas analizimit të plotë të kësaj marrëveshjeje, stafi i Zyrës së Kryeministrit ka nxjerrë një përfundim, që sipas tyre ekzistojnë baza të mjaftueshme për të konstatuar se presidenti Thaçi e ka shkelur rëndë Kushtetutën sa ishte kryeministër.

“Duke marrë parasysh provat në dispozicion të Zyrës së Kryeministrit, si dhe dispozitat relevante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ekzistojnë baza të mjaftueshme për të konstatuar “prima facie” se presidenti Thaçi, gjatë kohës kur ishte kryeministër, ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës dhe se kryerja e këtyre shkeljeve justifikon inicimin e procedurës kushtetuese për shkarkimin e tij nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përfundimin që është nxjerrë nga ekipi i Kurtit.

Lexo edhe: 

Kurti e kërkon shkarkimin e Thaçit, konstaton se ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutës

Por, Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese ka bërë të ditur për lajmi.net, se marrëveshja si e tillë ka qenë e ditur botërisht dhe se kjo që ka bërë tani kryeministri Albin Kurti, më shumë është lojë politike e tij dhe asgjë më shumë.

“Unë nuk e kam lexuar ende komplet marrëveshjen, përndryshe kjo marrëveshje ju e dini se ka qenë e njohur disa herë kur është përmendur kalimi i forcave tona atje ka reaguar KFOR-i, ka thënë që kështu është nënshkruar marrëveshja dhe nuk ka qasje atje. Kështu që këtë  marrëveshje e kanë ditur të gjithë, edhe mediet, edhe opinioni, edhe ne edhe institucionet e vendit”, u shpreh Baraliu.

Tutje ai ka thënë se, askush nuk ka të drejtë kushtetuese dhe ligjore që ta kufizojë sovranitetin e vendit dhe se funksioni i FSK-së është i definuar qartë në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas Baraliut, tani është çështje e Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar nëse ka bërë shkelje Thaçi apo jo, por ai ka vlerësuar se kjo është më shumë një lloj lufte politike e qeverisë së re e cila udhëhiqet nga Albin Kurti.

“Mirëpo unë mendoj që tani është një përgjegjësi e qeverisjes së re edhe një luftë politike sepse ndryshe s’mund ta interpretoj mes forcave politike dhe institucionale mes vete. Unë mendoj që do të duhej gjithsesi të merreshin edhe me këto, sepse nuk janë jo të parëndësishme, por pa e ashpërsuar shumë dhe pa krijuar konflikte mes vete. Sidoqoftë është çështje që e vlerëson Gjykata Kushtetuese se a ka shkelje apo jo eventualisht nëse dikush pretendon për diçka të tillë”, ka thënë Baraliu.

Edhe Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike në vend, ka bërë të ditur për lajmi.net, se beteja e Kurtit për shkarkimin e Thaçit është një betejë e humbur.

Sipas tij, dokumentin të cilin e ka publikuar Zyra e Kryeministrit nuk është marrëveshje, por thjeshtë është një zotim politik i bërë mes Kosovës, NATO-s dhe KFOR-it dhe se një gjë e tillë ka qenë e ditur edhe në të kaluarën.

“Kjo marrëveshje është një diçka që është ditur dhe ka qenë e ditur dhe nuk po e shoh që është marrëveshje por është njëfarë zotimi politik që e quajnë në gjuhën e KFOR-it edhe të NATO-s, kështu që nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje edhe unë besoj që edhe kryeministrat e tjerë e kanë nënshkruar të ngjashme, ose më duhet të shikoj se kryeministrat e tjerë mund ta kenë nënshkruar të ngjashmen”, u shpreh Mushkolaj.

Tutje sipas tij, Kurti nuk do të mund të arrijë qëllimin e tij për shkarkimin e Thaçit.

“Nuk besoj që do të mund të arrijë të arrihet qëllimi për shkarkimin e presidentit Thaçi sepse Kushtetuta e thotë qartë se cilat janë rastet kur presidenti mund të shkarkohet, respektivisht të niset procedura për shkarkimin e tij. Nëse është marrëveshje atëherë kjo është nënshkruar në kohën sa ai ka qenë kryeministër me këtë logjikë i bije që Vetëvendosje në këtë rast Kurti si kryeministër mund ta kërkoj shkarkimin e Hashim Thaçit edhe për nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 për shkak se u vërtetua që është jokushtetuese, kështu që me këtë logjikë funksionon edhe për Brukselin”, bëri të ditur Mushkolaj për lajmi.net.

Por kjo qasje e Kurtit nga Thaçit, sipas Mushkolajt është më tepër lojë politike dhe hakmarrje, pasi që siç u shpreh ai për lajmi.net, Kurti në këtë mënyrë po tenton t’iu ikë përgjegjësive, detyrave dhe zotimeve që ka arritur deri në këtë post nga vota e qytetarëve.

Madje Mushkolaj thotë se Albin Kurti akoma nuk Kuvendin e Kosovës nuk e ka prezantuar as planin e tij qeverisës dhe se loja e tij politike me Thaçin, është personale dhe ikje nga përgjegjësia për mosrealizimin e zotimeve të tija.

“Por po e shoh një lloj loje politike ose përpjekje të kryeministrit në këtë rast që në vend që të bashkëpunoj me presidentin e po duket se po injorohet nga presidenti për shkak se nuk i ka kthyer përgjigje në letrën që i ka dërguar kur i ka bërë ftesë për bashkëpunim, tash në njëfarë mënyre po i “hakmerret” nëpërmjet kësaj iniciative. Në fakt, zotëri Kurti në vend që të ndërmarrë iniciativa të tilla, do  të duhej të merrej me çështje të brendshme për të cilat ai është votuar më së shumti nga qytetarët edhe natyrisht të provoj t’i zgjidh ato probleme për shkak se kjo është një betejë e kotë mendoj unë edhe nuk do të arrihet qëllimi. Kështu që me këtë situatë shumë më e rëndësishme që të provohet që të arrihet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, kryeministrit, presidentit e sidomos në çështje të dialogut se sa të provohet në këtë mënyrë që të nis si proces. Besoj që edhe nis si procedurë do t’na marrë aq shumë energji edhe në fund do të rezultojë i pasuksesshëm ndërkohë që plot probleme të tjera për të cilat zotëri Kurti është zotuar se do t’i zgjidhë në fakt as që ka filluar të i zgjidh. Në radhë të parë që nga zotimi për heqjen e taksës e deri te mënyra e qeverisjes e që ende nuk është prezantuar në Kuvend as programi qeverisës”,  deklaroi Mushkolaj për lajmi.net.

Riza Smaka, njohës i çështjeve kushtetuese, ka bërë të ditur për lajmi.net, se pa e pasur një përgjigje përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese, se a ka bërë apo jo shkelje Thaçi me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, nuk mund të bëhet asnjë interpretim nga askush.

“Gjithsesi akti i tillë do të shqyrtohej, do të analizohej nga njerëz të autorizuar dhe kompetent që merren me jurisprudencë. Prandaj nga rezultati atëherë edhe do të bëhej kualifikimi i aktit i paligjshëm, shkelje e ligjit, kushtetutës e të tjera e të tjera apo që nuk ka. Prandaj në këtë diktat nuk do  të duhej më tepër për të bërë interpretime”, u shpreh Smaka.

Procedura e shkarkimit të presidentit

Neni 91 i Kushtetutës së Kosovës, e parasheh edhe çështjen e shkarkimit të presidentit.

“Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thuhet në Kushtetutë.

Procedura për shkarkimin e presidentit të Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës, mund të iniciohet nga një e treta e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim.

Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë ditësh nga marrja e peticionit.

Procedurat e shkarkimit ndërlidhen me implikimet e tij të jashtëligjshme si dhe “nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, kuvendi mund të shkarkojë presidentin me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të tij. /Lajmi.net/