Njëri nga serbët e arrestuar sot në Gjilan punonte për Ushtrinë e Serbisë

Gjatë një operacioni policor në rajonin e Gjilanit, sot Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të nacionalitetit serb nën dyshimin se janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Lajme

10/07/2018 12:03

Siç raportohet nga mediat serbe, të arrestuarit janë Radovan Stojkoviq, drejtor i zyrës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Gjilan, Jovan Deniq zyrtar komunal si dhe Nenad Stojanoviq mekanik me profesion por i punësuar në Ushtrinë e Serbisë me bazë në Vranjë.

Stojkoviq dhe Deniq u arrestuan në ambientet e Qendrës Kulturore ‘Bozidar Mitrovic Sandor’ në Shillovë.

Aksioni i policisë filloi në orët e hershme të ditës së sotme.

Përpos shtëpive të tyre policia ka bastisur edhe zyret e shërbimeve dhe ato të kryetarit të bashkisë së Shillovës, shkruan lajmi.net.

Mediat serbe raportuan se ky aksion ka të bëjë me largimin e pjesëtarëve të komunitetit serb nga FSK mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar policia e Kosovës.

Sipas RTS-së, Stojanoviq u arrestua nën dyshimin se ushtronte presion mbi anëtarët serbë të FSK-së për t’u larguar nga shërbimi.

Theksohet se në javët e fundit janë larguar më shumë se 30 pjesëtarë serbë të FSK-së kryesisht të rrethinës së Gjilanit.

Ndërkohë Serbia vazhdimisht kërkon nga qytetarët serbë të mos i bashkohen FSK-së pasi kjo e fundit kërkon të shnërrohet në Ushtri të Kosovës.

Në lidhje me këtë drejtori i Zyrës për Kosovë në Serbi, Marko Gjuriq pritet të mbajë një konferencë për media./Lajmi.net/

Lexoni edhe:

Demanton policia: Nuk jemi marrë me ish-pjesëtarët serbë të FSK-së