Njerëzit më të pasur dhe më të mençur druajnë se makinat do të na vijnë koke

Bill Gates, themeluesi i Microsoft-it dhe njeriu më i pasur në botë tërheq vërejtjen se inteligjenca artificiale (IA) paraqet një kërcënim jashtëzakonisht serioz për njerëzimin.

Bota

30/01/2015 23:20

Ai thotë se kurrsesi nuk mund t’i kuptojë njerëzit të cilët nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun që na kërcënohet nga inteligjenca artificiale, e cila “do të mund të shndërrohej në diçka të paparashikueshme dhe të bëhet më e fuqishme se njerëzit”, transmeton lajmi.net.

“Jam i brengosur për shkak të inteligjencës artificiale superiore. Në fillim makinat do të kryejnë shumë punë, do të kryejnë detyra që ne do t’iu japim dhe nuk do ta arrijnë atë nivel superioriteti. Por, disa dekada më vonë, IA do të bëhen mjaftueshëm të fuqishme për të shkaktuar brengosje”, vlerëson Gates.  

“Pajtohem me Elon Musk dhe intelektualë të tjerë, të cilët po ashtu nuk mund të kuptojnë indiferencën me të cilën njerëzit e pranojnë inteligjencën artificiale”, tha Gates.

Stephen Howking mendon që makinat shumë lehtë do të mund të shkatërronin njerëzimin.

Mendimin e Bill Gatesit e mbështesin edhe Elon Musk, shpikësi, ndërmarrësi dhe shefi ekzekutiv i “Tesla”-s në Amerikë, si dhe fizikani më i madh në botë, Stephen Howking, të cilët disa herë kanë tërhequr vërejtjen për rrezikun nga evoluimi i inteligjencës artificiale deri në atë masë sa t’i ikën kontrollit njerëzor.

“Një herë, kur makinat të harmonizojnë lëvizjet me shqisën e shikimit, do të fillojë dominimi i tyre”, thotë Howking.

(Lajmi.net)