Njerëzit e PD-së kapen duke u dhënë para grevistëve (Video)

Qarkullojnë para rreth grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë filluar dy ditë më parë përballë parlamentit të Shqipërisë. 

Lajme

31/05/2014 20:23

Kamerat e televizionit A1 Report kanë filmuar pamje që tregojnë një eksponent të lartë të Partisë Demokratike, Arben Ibroja, ish drejtor i OST dhe kryefinancieri i PD prej pak javësh, ndërsa i paguan 25.000 lekë një personi që pak më parë rri gjatë më të dhe me ish ministrin e brendshëm Flamur Noka. 

Çfarë tregojnë pamjet: Të tre qëndrojnë në sheshin ku ish të përndjekurit grevistë po montojnë tendat e tyre. Pasi bisedojnë bashkë, Arben Ibroja dhe miku i tij misterioz largohen mënjanë afër murit dhe këtu Ibroja nxjerr nga xhepi një pako me kartmonedha me vlerë 5 mijë lekë të reja secila, numeron 5 kartmonedha, pra 25 mijë lekë të reja dhe ja jep burrit që ka përballë e më pas rifut në xhep pjesën tjetër të parave. 

Nga ballafaqimi i fotove është e qartë se kush pagoi paratë, është eksponenti i PD Arben Ibroja dhe kush i merr këto para është i njëjti burrë me syze që ishte me Flamur Nokën. Rreth tyre janë ish të përndjekurit që po përgatiten për grevën e urisë.