“Njerëz të ligë, me mendësi regresive”, nënkryetari i LDK-së reagon për sulmin ndaj Hotit
Për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit, Avdullah Hoti, ka reaguar edhe nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri.
Lajme
Sulmuesit ai i ka quajtur “njerëz të ligë”, teksa ka thënë se kanë për qëllim izolimin e vendit, shkruan lajmi.net.
Madje, siç ka shkruar Muhaxheri përmes një postimi në Facebook, ky është sulm direkt mbi qeverinë.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të vendit,
Sot, nga njerëz të ligë, të inspiruar nga drejtuesit e tyre me mendësi regresive, është sulmuar me vezë zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ndërkaq sulmi i këtyre qyqarëve ka vetëm një qëllim tashmë të njohur botërisht: Izolimin dhe degradimin e vendit, me theks të veçantë dëmtimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pra, sulmi ndaj zëvendëskryeministrit Hoti, mund të cilësohet si sulm mbi qeverinë, shpresën dhe entuziazmin e bazuar për një të ardhme të mirë të vendit, në të njëjtën kohë ky sulm mund të cilësohet edhe si thikë pas shpine për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qyqarët dhe frikacakët, si përfaqësues të së keqes për vendin, një gjë duhet ta dinë, se koha për qeverisje të keqe ka marrë fund, ndërsa qeverisja e mirë më nuk është një ëndërr, por një realitet i merituar për qytetarët e vendit.
Për më tepër, ata duhet të dinë se zëvendëskryeministri Hoti, përfaqëson më së miri dhe me shumë kompetencë politikën tradicionale të LDK-së, të projektuar nga Presidenti Historik, Dr.Ibrahim Rugova, i cili me mençurinë, urtësinë dhe guximin e tij ndërtoi shtyllat e Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë së vendit, dhe atë të mbështetur fuqishëm në miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fali Zot qyqarët dhe frikacakët dashakeqës të së ardhmes tonë, ndërkaq na mbro ne, vendin dhe marrëdhënien tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti e bekoftë Amerikën!. /Lajmi.net/