Një vulë e Kosovë në pasaportë i kushton me 300 kilometra rrugë shtesë

​Për shkak se policja H. Limani, ia kishte vulosur pasaportën Burim Danit, kur kishte kaluar kufirin e Serbisë dhe kishte mbërritur në Kosovë, atij tash i duhet të kalojë 300 kilometra të tjera për të hyrë përsëri në shtetin serb.

Lajme

10/08/2015 19:37

Kjo për shkak se shteti serb s’lejon hyrjen në Serbi nëse në pasaportë e ke vulën e Kosovë.

“Edhe pse kërkuam të mos e vendos vulën shkaku se kur po shkojmë në Preshevë s’po na lënë me kalu kufirin për shkak të vulës së Kosovës dhe po na kërkojnë të shkojmë nga Shkupi për Tabanoc për me hy në kufirin kryesor të Serbisë”, ka treguar Dani, për Gazetën Express.

Burim Dani, shtetas i Shqipërisë, jeton në Prishtinë, por gruan e ka nga Presheva, tregon se për të shkuar përsëri në Preshevë i duhet t’i bëjë edhe 300 kilometra shtesë pasi detyrohet të hyjë në Serbi përmes Maqedonisë.

Ai ka treguar se kishin kërkuar nga policja të mos i vendoset vula për shkak se po duhet pastaj t’i bëjnë edhe 300 kilometra të tjerë, ajo s’kishte dëgjuar fare kërkesën e tyre.

“Policja, tha mundem me ba dhe e qes. Edhe më tha vazhdo dhe mos diskuto”, ka shtuar ai.

Dani ka treguar se policja ishte në dijeni për problemin që po u shkaktohet qytetarëve që dëshirojnë të shkojnë në Serbi kur atyre u vendoset vula e Kosovës.

Kjo ngjarje ka ndodhur dje në pikën kufitare të Muqibabës.

Pasaporta e vulos në doganën e Kosovës