Një vit pas burgosjes, Navalny po jeton në “ferr të gjallë”

Bota

17/01/2022 10:56

Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International, është duke shënuar përvjetorin e parë të arrestimit të kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny me thirrje ndaj komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë nga autoritetet ruse lirimin e politikanit opozitar.

Kjo Organizatë ka kërkuar edhe që t’i jepet fund “fushatës së paparë të shtypjeve” kundër mbështetësve të Navalnyt, duke thënë se janë “zhdukur të gjitha të drejtat për liri të shprehjes” në këtë shtet.

Marie Struthers, drejtore për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Amnesty International, ka thënë se një vit prej kur është burgosur Navalny, ai, mbështetësit e tij dhe organizatat e shoqërisë civile në Rusi “janë përballur me shtypje të pamëshirshme”.

Navalny është ndalur në Aeroportin e Moskës në janar të vitit të kaluar pasi ka arritur nga Berlini, ku është mjekuar për helmimin që i është bërë në Siberi, në gusht të vitit 2020.

“Dhjetëra mbështetës dhe bashkëpunëtorë të Navalnyt janë duke u përballur me ndjekje penale, dhe një numër i madh prej tyre tashmë janë nëpër burgje”, ka thënë Struthers, derisa autoritetet ruse “i kanë shpallur organizatat e tyre si ‘ekstremiste’ dhe ua kanë bllokuar faqet online”.

Disa prej bashkëpunëtorëve kanë ikur nga shteti, duke u frikësuar nga persekutimi politik, “ndonëse vazhdojnë të jenë të shqetësuar se familjarët e tyre në Rusi do të përballen me fat të ngjashëm”, ka thënë ajo, duke shtuar se “në përvjetorin e ndalimit të tij, Navalny dhe aktivistët politikë të lidhur me të, janë duke jetuar një ferr të gjallë”.

Navalny është ndaluar në Aeroportin Sheremetyevo të Moskës më 17 janar të vitit 2021, dhe një gjykatë në Moskë ka vendosur dy javë më vonë se në kohën sa ka qenë ai në Gjermani, ka shkelur parimet e një dënimi me kusht për përvetësim, i cili konsiderohet i motivuar politikisht.

Për shkak të shkeljeve të pretenduara, dënimi i tij me kusht prej tre vjetësh e gjysmë është shndërruar në dënim me burgim, ndonëse gjykata ka thënë se ai do të kalojë dy vjet e gjysmë në burg, duke marrë parasysh kohën e kaluar në mbajtje.

Navalny ka pretenduar se helmimi i tij – gati fatal – me agjentin nervor Noviçok, është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Kremlini ka hedhur poshtë supozimet se ka rol në helmimin e tij.

Në qershor të vitit 2021, dy organizatat e themeluara nga Navalny – Fondacioni kundër Korrupsionit dhe Fondacioni për Mbrojtje të të Drejtave të Qytetarëve – janë shpallur “ekstremiste” dhe janë ndaluar.

Prej asaj kohe, aktivistët e tyre janë penalizuar.

Në shtator të vitit 2021, është hapur një rast penal kundër Navalnyt dhe bashkëpunëtorëve të tij me akuzat se kanë krijuar “asociacion ekstremist”, ndonëse politikani opozitar përballet me 15 vjet tjera burgim, nëse dënohet për akuza që përfshijnë mashtrime dhe pastrim parash, lidhur me keqpërdorim të fondeve në organizatat e tij joqeveritare.

Më 14 janar të këtij viti, dy bashkëpunëtorë të Navalnyt – Leonid Volkov dhe Ivan Zhdanov – janë shtuar në listën ruse të “ekstremistëve dhe terroristëve” dhe pronat e tyre janë bllokuar.

Babait të Zhdanovit i është dorëzuar një dënim me burgim vitin e kaluar për një rast korrupsioni, të cilin kritikët e konsiderojnë të motivuar politikisht.

“Veprimet e ftohta të Kremlinit, i cili mbetet i vendosur për të heshtur dhe poshtëruar Aleksei Navalnyn dhe mbështetësit e tij, duhet të marrin fund tani”, ka thënë mes tjerash Struthers, duke shtuar se populli i Rusisë “nuk duhet të vuajë nga shtypja e pamëshirshme e të drejtave të tyre njerëzore. ”

Sipas Struthers, më shumë se 360,000 persona në gjithë botën kanë nënshkruar një peticion të nisur nga Amnesty International, i cili u bën thirrje autoriteteve ruse për të liruar menjëherë dhe pa kushte Navalnyn.

Bashkimi Evropian, Britania dhe shtete tjera kanë vënë sanksione ndaj zyrtarëve rusë, për shkak të burgosjes dhe helmimit të Navalnyt.

Ligjvënësit evropianë kanë zgjedhur Navalnyn si fitues të Çmimit vjetor Sakharov, për vitin 2021, i cili ndahet për Liri të Mendimit.

Ata kanë thënë se Navalny “ka bërë fushatë të vazhdueshme kundër regjimit të korruptuar të Vladimir Putinit”.