Një vit e pesë muaj burg me kusht për Daut Xhemajlin

Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar dhe shpallur fajtor Daut Xhemajlin nga Vitia me 1 vit e pesë muaj burgim, derisa Florim Ramajn e ka dënuar me 1 vit burgim

 

Lajme

10/02/2015 18:49

Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të kryesuar nga gjykatësja Emine Salihu, është shpallur aktgjykimi ndaj të akuzuarit Daut Xhemajli për veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit me dënim burgu në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajve, i cili dënim nuk do t`i ekzekutohet në qoftë se i akuzuari në kohën prej 1 viti, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, nuk kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën gjykata do t’ia revokojë dënimin me kusht, raporton rajonipress.

Për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar me dënim burgu në kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim nuk do t`i ekzekutohet në qoftë se i akuzuari në kohën prej dy viteve, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën gjykata do t’ia revokojë dënimin me kusht”.

Të akuzuarit Daut Xhemajli gjykata ia shqipton dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 5 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i akuzuari në kohën prej 3 vjetëve nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën gjykata do t’ia revokojë dënimin me kusht thuhet në aktgjykim.

Të akuzuarit Florim Ramaj për veprën penale keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar me dënim burgu në kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim nuk do t`i ekzekutohet në qoftë se i akuzuari në kohë prej dy vjetëve nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën gjykata do t’ia revokojë dënimin me kusht.

Të akuzuarit Daut Xhemajli dhe Florim Ramaj në mënyrë solidare obligohen që të dëmtuarës, Komunës së Vitisë t’ia kthejnë dëmin e shkaktuar material në shumë prej 6,834 euro.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Shaban Spahiu, pranë Prokurorisë Themelore në Gjilan, Daut Xhemajli dyshohet se më 2008, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për organizatën e biznesit, ka shpërdorë pozitën zyrtare apo autorizimin në atë mënyrë që, duke qenë në pozitën e shefit të administratës së përgjithshme dhe personelit në Komunën e Vitisë, ka nxjerr vendimin me të cilin ka liruar nga pagesa e qerasë mujore në vlerë të 1,090 eurove për katër muaj barnatoren “Galemi Pharm”, me çka Komunës së Vitisë i ka shkaktuar një dëm material prej 4,360 eurove.

Në këtë aktakuzë Xhemajli akuzohet dhe për një dëm tjetër që i ka shkaktuar Komunës së Vitisë, duke mos u kujdesur për implementimin e obligimeve kontraktuese për firmën “Elita”, duke i shkaktuar një dëm komunës në vlerë të 6,834 eurove.

Në këtë aktakuzë është i dyshuar edhe Florim Ramaj, në cilësinë e kryetarit të Komisionit për vlerësimin dhe pranimin e investimeve. /rajonipress/