Një tërmet prej 6,8 ballë godet Turqinë lindore, 4 të vdekur

Soylu, i cili konfirmoi se dy persona kanë humbur jetën në Elazığ dhe dy të tjerë në Malatya, uroi që humbjet e jetëve të mos jenë shumë të larta. Ai po ashtu theksoi se dhjetëra janë plagosur.

Bota

24/01/2020 21:31

Një tërmet me magnitudë 6,8 ballë ka goditur provincën lindore turke Elaziğ, si pasojë e të cilit jetën e kanë humbur të paktën katër persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Agjencia turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) fillimisht njoftoi se tërmeti ishte me magnitudë 6,8 ballë, por Observatori Kandilli tha se tërmeti ishte me magnitudë 6,5 ballë.

Tërmeti është regjistruar në qytetin Sivrice të provincës Elazığ rreth orës 20.55 sipas orës lokale.

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Süleyman Soylu, i cili konfirmoi se dy persona kanë humbur jetën në Elazığ dhe dy të tjerë në Malatya, uroi që humbjet e jetëve të mos jenë shumë të larta. Ai po ashtu theksoi se dhjetëra janë plagosur.

“Ekipet e kërkim-shpëtimit u dërguan në rajon dhe informacione të mëtejshme do të kemi më vonë”, tha Soylu, duke shtuar se disa ndërtesa në qendër të qytetit janë dëmtuar.

Ai po ashtu tha se edhe fshatrat rurale mund të kenë pësuar dëme në një farë mase, pa dhënë detaje më të hollësishme.

Nga ana tjetër, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se ushtria është e gatshme të angazhohet nëse do të jetë e nevojshme.

Tërmeti u ndje edhe në shumë provinca të tjera, përfshirë Adana, Osmaniy, Tunceli dhe Hatay.

Në vitin 2010, provinca Elazığ u godit nga një tërmet me magnitudë 6 ballë, duke marrë jetën e 51 personave.