Një teori e madhe e bashkuar ekonomike?

Çka, në të vërtetë, po i pengon ekonomistët dhe politik-bërësit për të zhvilluar, ose së paku për t’u munduar, që të arrijnë një teori të unifikuar të ekonomisë?

Opinion

17/11/2013 22:00

Mbyllja e Qeverisë Amerikane, muajin e kaluar, si rezultat i negociatave të dështuara partiake në Kongres për Buxhetin, simbolizon polaritetin që mbizotëron në debatet moderne të politikave ekonomike.

Në njërën anë, mbështetësit e John Maynard Keynes argumentojnë që intervenimet qeveritare mund të ndihmojnë çdo ekonomi të zhvillohet përmes nxitjes së kërkesës agregate dhe, si rezultat, rritjen e punësimit. Qeveria e një shteti, siç shprehen Kenzianët, ka kapacitetin dhe përgjegjësinë të zgjidhë disa, nëse jo të gjitha, problemet ekonomike.

Në anën e kundërt, mbështetësit e Shkollës Austriake të mendimit ekonomik, sidomos idetë e Friedrich Hayek, thonë që qeverisja e limituar dhe tregtia e lirë përbëjnë të vetmen rrugë drejt lirisë dhe prosperitetit. Tregu është gjyqtari më i mirë për të vendosur për alokimin e resurseve të kufizuara dhe për këtë duhet të shërbejë si drejtuesi kryesor i ekonomisë.

Në vitet e fundit, ky debat i gjatë është bërë edhe më tej kundërshtues dhe kostot e bllokadave vetëm sa po rriten. Për të kthyer rritjen ekonomike në vendet e zhvilluara, duke mbajtur rritje të lartë të BPV’së dhe duke reduktuar varfërinë në vendet në zhvillim, është e nevojshme një qasje më e unifikuar e bërjes së politikave ekonomike që nxjerr mësime nga të dy teoritë ekonomike.

Reagimet zyrtare ndaj krizës ekonomike globale theksojnë meritat e modelit ndërhyrës, duke vërtetuar se veprimet e vendosura qeveritare mund të ndihmojnë në përmirësimin e efikasitetit dhe të tregjeve të pabalancuara, përmes së cilës bëhet mbrojtja e ekonomisë nga rënia e kërkesës, që shkaktohet nga zvogëlimi i investimeve dhe rritjes së papunësisë. Por, tregu i lirë po ashtu ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, përmes politikave afatgjata që nxisin përparimet shkencore dhe teknologjike, dhe me këtë ngritin mundësitë e rritjes ekonomike.

Për të përcaktuar se si mund të promovohet inovacioni pa sakrifikuar mbrojtjen sociale, ekonomistët dhe politik-bërësit duhet të marrin mësim nga fusha e fizikës. Për më shumë se një shekull, fizikantët janë munduar të shkrijnë idetë e tyre konkurruese të mendimtarëve kryesorë, duke përfshirë Wolfgang Pauli, fizikantin e parë që parashikoi ekzistencën e neutrinos (grimcën më të vogël të materies), dhe Albert Einstein, i cili shpjegoi marrëdhënien në mes të hapësirës dhe kohës. E ashtuquajtura “teori për gjithçka” do të pajtonte të pabesueshmen e vogël me të papërfytyrueshmen e madhe, duke ofruar një kuptim gjithëpërfshirës për tiparet fizike të universit.

Politik-bërësit duhet të punojnë që të bashkojnë teoritë e kundërta për të rreshtuar vendimet politike me ciklin e biznesit dhe nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit. Një qasje e tillë duhet të mundohet të mbrojë ekonomitë nga efektet destabilizuese të ndryshimeve të motivuara nga politika, pa penguar aftësinë e Qeverisë për të korrigjuar çekuilibrin. Zyrtarët duhet të jenë vigjilentë për reduktimin e shpenzimeve dhe tërheqjen e masave stimuluese gjatë periudhës së zhvillimit, ashtu  siç duhet të jenë prirë për të zbatuar politika të tilla gjatë recesionit.

Kjo qasje reflekton qëndrimin që politik-bërja është art e jo shkencë. Për këtë botës i nevojitet më shumë fleksibilitet në bërjen e politikave ekonomike. Por, disa mund ta konsiderojnë këtë arsye për t’u brengosur, posaçërisht si pasojë e skepticizmit në rritje për politikat e bazuara në stimulime gjatë krizës globale ekonomike.

Për krizën ekonomike shumë e fajësojnë epërsinë e qasjes laissez faire të bërjes së politikave ekonomike dhe më të drejtë i japin kredit ndërhyrjeve qeveritare për të promovuar rimëkëmbjen ekonomike. Suksesi i jashtëzakonshëm ekonomik i shteteve si Kina, ku me mijëra njerëz kanë arritur të largohen nga varfëria brenda vetëm një gjenerate, ka riforcuar mbështetjen për sistemet e bazuara në ndërhyrjet qeveritare në ekonomi.

Në shtetet e zhvilluara, po ashtu, shumë avokojnë për një rol më të madh të shtetit, në mënyrë që të sigurohet dhënia e përfitimeve të premtuara sociale për popullatat që moshohen shpejt. Në fakt, në shumë vende, kapacitetet e qeverive janë të kufizuara. Siç ka potencuar Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, Europa e fuqishme ka vetëm 7% të popullatës botërore, prodhon 25% të pasurisë së botës dhe shënon 50% të pagesave sociale të tërë botës. Kur i shtohet SHBA këtyre statistikave, atëherë 11.5% e popullatës globale pranojnë 88% e pagesave sociale të botës.

Por, heqja e parimeve të tregtisë së lirë do të krijonte një seri të çekuilibrimeve. Për të mos lejuar ekstremistët të rrëmbejnë debatet e politikave ekonomike, politik-bërësit duhet të punojnë për të tejkaluar dallimet në mes të shkollave të mendimit ekonomik. Vetëm atëherë diskursi produktiv do të jetë i mundur.

Keynes një herë shkoi që ai pajtohet me “gati të gjitha” idetë e Hayek. Dhe Hayek shprehi ndjenjë “qetësie” kur dëgjoi që ai dhe Keynes u pajtuan në kaq “masë të madhe”. Kjo ngrit pyetjen: Çka, në të vërtetë, po i pengon ekonomistët dhe politik-bërësit për të zhvilluar, ose së paku për t’u munduar, që të arrijnë një teori të unifikuar të ekonomisë?

 

Dambisa Moyo është autorja e Fituesi i Merr të Gjitha: Gara e Kinës për Burime dhe Çfarë do të Thotë kjo për Botën (Winner Take All: China’s Race for Resources and What it Means for the World).

(Të drejtat autoriale: Project Syndicate 2013,
 www.project-syndicate.orglajmi.net është anëtare e rrjetit të Project Syndicate.)