Një porosi e LDK’së për Vetëvendosjen

LDK thotë se Kryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka marrë komunën pa asnjë cent borxh. Prandaj kjo parti e fton Vetëvendosjen të fillojë realizimin e premtimeve elektorale dhe “të mos merret me deklarata boshe”.

Lajme

01/02/2014 12:58

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se ia ka dorëzuar të gjitha raportet qeverisjes së re të Komunës së Prishtinës.

Për këtë shkak, LDK reagon duke thënë se deklarimet e ushtruesit të detyrës së drejtorit për Financa dhe Pronë, Besnik Bislimi, janë të pavërteta dhe me tendencë për mashtrimin e opinionit publik.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson të pavërtetë dhe tendencë për mashtrim të opinionit deklarimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit për Financa dhe Pronë, Besnik Bislimi, si dhe kryetarit Shpend Ahmeti, se ish menaxhmenti i komunës nuk ka lënë të dhëna për buxhetin e komunës”.

“Sqarojmë se me rastin e pranim-dorëzimit të detyrës më 26.12.2013, të gjithë drejtorët e rinj dhe kryetari i komunës kanë pranuar raporte për projektet e kompletuara dhe ato në vijim për secilën drejtori. Z.Bislimi i është dorëzuar buxheti për vitin 2013 dhe 2014 në formë fizike dhe elektronike, tabela me të dhëna për tatimin në pronë për persona fizik dhe juridik e gjeneruar nga sistemi, si dhe lëndën në procedurë lidhur me shpronësimet”.

“Sqarojmë se kompjuteri i punës i drejtorit të Financave dhe Pronës nuk përmban databazën e të dhënave as për buxhet dhe as për tatim në pronë”.

“Nuk është punë e drejtorit të financave të mbajë databazën, por të menaxhojë me proceset në komunë. Të gjitha të dhënat e nevojshme mbahen tek zyrtarët nëpër sektorë përkatës dhe janë të lidhura me Ministrinë e Financave”.

LDK thotë se Komuna e Prishtinës e qeverisjes së kaluar të Isa Mustafës, nuk ka lënë asnjë borxh. LDK thotë se Komuna gjithmonë ka pasur takime me menaxhmentin e AKP’së për të shlyer obligimet për tatim në pronë të ndërmarrjeve.

“Duhet cekur gjithashtu se Komuna e Prishtinës është ndër komunat e pakta që nuk ka lënë asnjë borxh ndaj buxhetit të komunës”.

“Kontratat janë menaxhuar me përgjegjësi të lartë. Në të gjitha rastet, kontratat janë lidhur me kontraktorët që kanë ofruar çmimin më të lirë për të ruajtur paranë publike”.

“Mjetet e ndara për shpronësime sigurisht që janë të pamjaftueshme, por kanë qenë brenda kapaciteteve financiare të komunës”.

“Komuna ka pasur vazhdimisht takime me menaxhmentin e AKP’së për shlyerjen e obligimeve për tatim në pronë të këtyre ndërmarrjeve. Deri tani ka qenë e pamundur të shlyhen këto obligime për shkak të gjendjes financiare të këtyre ndërmarrjeve”.

LDK fton Lëvizjen Vetëvendosje që të fillojë me realizimin e premtimeve elektorale dhe të mos mirret me deklarata boshe.

“Ne ftojmë udhëheqjen komunale që të filloj me realizmin e premtimeve të dhëna gjatë fushatës”.

“Ne ftojmë ata të mos bëjë deklarata boshe, të pavërteta dhe që nxjerrin në pah injorancën e menaxhmentit aktual në çështjet që lidhen me pushtetin komunal”.

“Qytetarët e Prishtinës presin përmbushjen e premtimeve elektorale, e jo konferenca shtypi në baza ditore dhe deklarime boshe”, thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.