Një mundësi e re për Sirinë

Ndërmjetësi i OKB-së në konfliktin sirian, Staffan de Mistura, ka deklaruar se ai beson se ekziston një mundësi e re për të zgjidhur krizën që ka kapluar Sirinë që prej marsit të vitit 2011, që do të çojë deri te përfundimi i luftës civile që ka marrë jetët gati 200 mijë vetave.

Bota

11/11/2014 14:17

De Mistura Ai i ka thënë BBC-së se arritja e një armëpushimi mes kryengritësve dhe forcave qeveritare mund të jetë e suksesshme për shkak të kërcënimit të përbashkët nga militantët e “Shtetit Islamik”.

Në mars të vitit 2011 sirianët të prirë nga opozita u ngritën për të rrëzuar regjimin e presidentit Bashar al Asad, pushtet të cilin e mori në vitin 2000 nga i ati Hafez, i cili kishte udhëhequr Sirinë për 29 vjet.

Por kryengritja degjeneroi në luftë klanesh dhe sektesh fetare që i dha mundësinë presidentit Asad të luftojë më me lehtësi formacionin ushtarak opozitar, Ushtrinë e Lirë Siriane dhe grupet radikale si Al Nusra, një fraksion i Al Qaedas.

Me daljen në pah të organizatës terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë”, që pas ofensivave dhe masakrave që prej muajit qershor ka arritur të vë nën kontroll territore të konsiderueshme të këtyre dy shteteve, duke shpallur në korrik edhe kalifatin e quajtur “Shteti Islamik”.

Masakrimi i mbi dhjetë mijë njerëzve nga militantët sunitë të “Shtetit Islamik” dhe sulmet ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara ndaj këtij shteti, kanë shtruar nevojën e sirianëve dhe irakianëve që të bashkohen për të luftuar këtë organizatë famëkeqe.

Në Irak, ushtria është duke u përgatitur për në ofensive kundër militantëve të “Shtetit Islamik” në territoret që këta të fundit kanë vënën nën kontroll, ndërsa në Siri, forcat opozitare kanë filluar kontaktet me ato qeveritare, me qëllim arritjen e një marrëveshje për armëpushim.

Të gjitha palët në konflikt, përveç Al Nusras, vlerësojnë se “Shteti Islamik” është një e keqe e përbashkët që duhet zhdukur, dhe se çdo vonesë do t’ju kushtojë me jetë irakianëve dhe sirianëve.     

OKB-së ka bërë thirrje për “zona të ngrirë” për të ndalur luftën dhe për të përmirësuar ndihmën humanitare për miliona sirianë e irakianë të zhvendosur nga vatrat e krizave në këto dy vende.